E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, kampioni i rrëzuar nga froni

Nga Dritan Ikonomi
Tifozët e Elbasanit kanë paralajmëruar hyrjen me 20 minuta vonesë në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta", ku verdheblutë do të zhvillojnë ndeshjen kundër Besës së Kavajës, për javën e 22-të. Vonesa e tifozëve do të jetë në shenjë proteste ndaj paraqitjes së skuadrës së tyre, e cila ka lënë shumë për të dëshiruar. Në harkun kohor të disa muajve, kampionët e Shqipërisë janë shndërruar nga skuadra më e mirë e vendit në një skuadër mediokre, e cila e ka harruar shijen e fitores. Mbrojtja e titullit kampion tashmë është vetëm një iluzion, por me ecurinë javë pas jave Elbasani tregon se është shumë larg edhe nga objektivi minimal, kualifikimi në Kupat e Evropës për sezonin e ardhshëm. Me 28 pikë pas 21 javëve, Elbasanin e ndan një hendek i pakapërcyeshëm prej 18 pikësh me Tiranën kryesuese, ndërkohë që praktikisht e paarritshme është edhe Teuta e vendit të dytë, në kuotën 38, ndërkohë që durrsakët ndiqen nga afër prej shkodranëve dhe të kuqve, përkatësisht me 37 e 36 pikë. Diferenca e pikëve me vendet që të cojnë në Evropë nuk është e keqja më e madhe e verdhebluve. Ajo cka bën që Evropa të duket e paarritshme është pikërisht ecuria e skuadrës kampione. Fitorja e fundit është arritur në 2 dhjetorin e kaluar, 2-0 në Vlorë kundër Flamurtarit, për javën e 14-të. Që atëherë, kampionët njohin vetëm humbje dhe dy barazime, pa gola në Gjirokastër dhe 2-2 në Fier, kundër Apolonisë. Me fierakët është më tepër një fitore e ikur nga duart, pasi verdheblutë kryesonin 2-0, por nuk arritën të mbronin rezultatin përballë skuadrës që në renditje mban vendin e fundit. Në mesin e fazës së parë, Elbasani pati një ngritje graduale, me tri fitore radhazi, të cilat e bënë skuadrën një pretendente serioze për vendin e dytë, por tashmë situata ka ndryshuar. Gjatë fazës së dytë, Elbasani i ka humbur të gjitha ndeshjet me skuadrat që, të paktën në letër, janë favoritet për vendet në Kupat e Evropës. Me Tiranën e Dinamon kampionët janë mundur në transfertë, ndërkohë që përballë Vllaznisë, Partizanit e Teutës janë dorëzuar pikërisht aty ku më parë kanë qenë të pathyeshëm, në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta". Për ta bërë më të plotë dështimin e sezonit, verdheblutë janë jashtë loje edhe në Kupën e Shqipërisë, një tjetër trofe dhe rrugë drejt Evropës, nga e cila i nxorri Turbina e Kategorisë së Parë. * * * Efekti "verdheblu" Pa Partizanin nuk ka kampionat kombëtar. Kjo ka qenë deklarata e presidentit të të kuqve, gati dy vjet më parë, në një prononcim për "Panorama Sport". Historia ishte argumenti i Xhanit, skuadra e të cilit është lënë pas vetëm nga Tirana, përsa u përket trofeve të fituar në vite. Por në sezonet e fundit, të mëdhenjtë historikë të futbollit shqiptar, përfshirë edhe Partizanin, vetëm sa kanë qenë dëshmitarë të supremacisë së Tiranës, e rivalizuar në dy kampionate vetëm nga Elbasani. Verdheblutë fituan titullin në sezonin e kaluar, ndërkohë që një sezon më parë dolën në vendin e dytë, pas Tiranës kampione. Në të dy ato kampionate, lufta për titull ka qenë midis bardhebluve e verdhebluve, duke i ndarë nga një herë trofetë, ndërsa pretendentët tradicionalë, Partizani, Dinamo e Vllaznia, nuk janë ndjerë. Efekti "verdheblu" ndjehet edhe në kampionatin në vazhdim, por këtë herë në kahun negativ. Elbasani është "zbehur" dhe luftë për titull nuk ka. Tirana marshon e pashqetësuar, ndërkohë që "të mëdhenjtë historikë" as nuk guxojnë të mendojnë për titullin. Kupa UEFA apo Intertoto është ëndrra e tyre e re. Në tre sezonet e fundit, është shkruar një tjetër histori dhe aksioma është ndryshuar. "Pa Elbasanin nuk ka kampionat". ------------ Botohet me lejen e gazetes sportive "Panorama Sport"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›