Bejleri: “Shahu, shkenca e mendjes”Sekretari i Federatës së Shahut shprehet optimist për të ardhmen. Kampionati i parë i shahut në Shqipëri është zhvilluar në vitin 1933

Rrjetet sociale:
(ALBANIA SPORT) - “Shahu është shkenca e mendjes”. Kjo është një nga thëniet e ekspozuar në sallën e lojërave të Federatës Shqiptare të Shahut, një prej ambienteve më dinjitoze të ndonjë federata shumësportëshi. Shahu shqiptar, fillimet zyrtare të të cilit, datojnë 76 vjet më parë, në maj të vitit 1933, ka është një prej sporteve elitare në Shqipëri. Katrorët bardh e zi kanë “prodhuar”, disa prej emrave më të spikatur gjatë shtatë dekadave sportive.
“Sporti i shahut është shumë popullor në Shqipëri dhe është një prej sporteve më të vjetra e tradicionalë në vendin tonë. Vitin e kaluar organizuam 75-vjetorin e krijimit të Federatës Shqiptare të Shahut, por dhe të kampionatit të parë të shahut të organizuar në vitin 1933. Më pas gjithçka u ndërpre, për tu rikthyer në vitin 1946. Që nga ky vit është zhvilluar rregullisht kampionati, ku i pari është fituar nga Gaspër Shoshi i 17 Nandorit, siç quhej asokohe Tirana, e deri tek ky i fundit, i vitit 2009, i cili është Ilir Seitaj ”, - thotë për “Albania-sport.com sekretari i mirënjohur i Federatës Shqiptare të Shahut, Sabri Bejleri.
“Gjatë vitit 2009 kemi zhvilluar kalendarin sportiv të miratuar dhe jemi në fund të aktiviteteve, ku kanë mbetur vetëm dy kampionate për të zhvilluar, kampionati kombëtar ekipor, më datë 27 nëntor, në të cilën marrin pjesë dhjetë ekipe. Ky është kampionati i 36-të që do të zhvillohet. Të parin, atë vitit 1969 e ka fituar Dinamo, ndërsa atë të fundit, të vitit 2008, e ka fituar Vllaznia e Shkodrës, që e fitoi atë për herë të parë. Konkurrojnë sportistë cilësorë si Ilir Seitaj, Dritan Mehmeti, Lorenc Rama”, - thotë Bejleri.
“Më të suksesshëm në 35 kampionatet e para kanë qenë Teuta (7 herë), Dajti (6 herë), Studenti (5 herë), Dinamo (4 herë), Tirana (4 herë), Partizani (3 herë), Butrinti (2 herë), Luftëtari (1 herë), Vllaznia (1 herë). Gjithsesi, ne zhvillojmë edhe kampionate me shahistët veteranë ku konkurron midis tyre edhe Ylvi Pustina, i cili është tani 75 vjeç, po aq sa edhe shahu në Shqipëri. Një tjetër është Leonard Mikeli, konkurron akoma Fatos Omari, por dhe Fatos Muço”, - thekson sekretari Sabri Bejleri. “Janë rreth 120 shahistë të federuar e që konkurrojnë në aktivitet kombëtare që organizon Federata jonë, - thotë Bejleri. “Sporti i shahut është shumë masiv në Shqipëri, pasi janë të shumtë ata që e luajnë, qoftë dhe për kënaqësi. Pak muaj më parë zhvilluam kampionatin midis shkollave ku morën pjesë më shumë se 500 pjesëmarrës, nga ku nxorëm pas seleksionit, ku nxorëm tetë sportistët meshkuj dhe tetë femra. Tani kemi një projekt të përbashkët me kolegjin turk ‘Turgut Ozal”.
Akademia e Shahut “Tirana”
Në Tiranë me iniciativën e ish-presidentit të Federatës së Shahut, biznesmenit Vasil Gjika, është ngritur Akademia e Shahut “Tirana” ku marrin pjesë shumë të rinj të talentuar dhe stërviten aty. “Është një fidanishte e vërtetë e stërviten nga Shkëlqim Çela. Pesë prej tyre tani janë në Kampionatin Botëror të të rinjve e që po zhvillohet në Turqi”, - thotë sekretari Bejleri.
Shqipëria
Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar: 1
(Erald Dervishi)
Mjeshtër Ndërkombëtar: 3
(Ilir Seitaj, Llambi Qëndro, Dritan Mehmeti)
Mjeshtër i FIDE-s: 6
(Ilir Karkanaqe, Harallamb Boshku, Shkëlqim Çela Arben Dardha, Zeqir Sula, Lorenc Rama)
Top-10 në Shqipëri
Nr. Shahisti Elo ndërkombëtare
1 Erald Dervishi 2545
2 Altin Çela 2485
3 Fatos Muço 2420
4 Drtian Mehmeti 2419
5 Ilir Seitaj 2391
6 Llambi Qëndro 2389
7 Ilir Karkanaqe 2383
8 Harallamb Boshku 2345
9 Zeqir Sula 2333
10 Lorenc Rama 2316
Numri i klikimeve - 1230
E Marte, 24 Nentor 2009