Bekam në Botëror, si zëvendës i Kapelos
Fabio Kapelo e kërkon me çdo kusht. Devid Bekam do të jetë pjesë e përfaqësueses angleze në Botërorin 2010 që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut. Pak rëndësi ka nëse 35-vjeçari nuk do të jetë në gjendje që të luajë, për shkak të dëmtimit të pësuar gjatë aktivizimit me Milanin. “Spice boy” do të jetë pranë shokëve të tij të përfaqësueses dhe do të ndihmojë që grupi të jetë i bashkuar. Bekam do të jetë pjesë e “Tre Luanëve” për të bërë rolin e ndërmjetësit mes trajnerit dhe lojtarëve. Lajmi është publikuar nga britanikja “The Times”. Tabloidi shkruante: “Kapelo i ka thënë qartë lojtarit se nuk do të jetë thjesht në rolin e imazhit të përfaqësueses angleze. Përkundrazi, ai do të ketë një rol të rëndësishëm brenda skuadrës, për të shërbyer si pikëtakimi ndërmjet drejtuesit të stolit dhe dhomave të zhveshjes”. Mesfushori i njeh mirë metodat e punës së “Don Fabios”, me të cilin ka punuar kur luante te Reali i Madridit. 30 futbollistët që bëjnë pjesë në listën provizore do të nisin të hënën grumbullimin në Austri. Bekam nuk do të bashkohet me ekipin, por më 2 qershor, ai do të jetë në aeroplanin që do të niset drejt Afrikës së Jugut me stafin teknik dhe 23 futbollistët, të cilët do të përfaqësojnë Anglinë. Lojtari i Los Anxhelos Galaksi u shpreh i kënaqur: “Ende nuk kemi biseduar për detajet e bashkëpunimit, por jam i nderuar që një trajner si Kapelo mendon se unë mund të jem i rëndësishëm për Anglinë në këtë Botëror”.
#