E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bekham gati për te Milani

Nga Altin Latifi
Devid Bekham ka zhvilluar ndeshjen e fundit të sezonit në Amerikë dhe tashmë duket i gatshëm për të nisur një aventurë disa mujore tek Milani. Ish-kapiteni i Anglisë do të qëndrojë pushim deri në janar, kur të rihapet periudha e federimeve në Itali. 

LOS ANXHELOS - Devid Bekham i ka dhënë fund sezonit me Los Anxhelos Galaksi me një barazim 2-2 ndaj Dallasit dhe tashmë është i gatshëm për të kaluar në Itali tek Milani. Ish-kapiteni i kombëtares angleze do të jetë për tre muaj pjesë e skuadrës së drejtuar nga Karlo Ançeloti duke nisur që nga janari. Kampionati amerikan tashmë ka përfunduar dhe do të duhen muaj që ai të rinisë sërish, gjë që e bën të domosdoshme që Bekham të lëvizë drejt një klubi europian për të mbajtur veten në formë. Në takimin e fundit, anglezi ishte sërish protagonist për ekipin e tij. Ai krosoi për Edson Badëll që i dha avantazhin Los Anxhelos, por miqtë nga Dallasi shënuan dy herë me Mur dhe Sikora. 11 minuta para përfundimit Bekham fitoi një 11-metërësh që u shndërrua në gol nga Landon Donovan. Los Anxhelos Galaksi nuk do të marrë pjesë në plej-ofet e kampionatit amerikan, duke nisur që tani pushimet. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›