Bekham, në “klubin e shekullorëve”

David Bekham deklaroi se ndjehej "i nderuar", pasi iu bashkua kolegëve të tij te Reali i Madridit, Raúl Gonzálesit dhe Roberto Karlosit, një klubin ekskluziv, pasi u fut si zëvendësues në ndeshjen e skuadrës së tij kundër Steauasë së Bukureshtit të martën, duke luajtur kështu ndeshjen e tij të 100-të në Ligën e Kampioneve. Bekhami hyri në fushë kur kishin mbetur edhe 19 minuta lojë, duke zëvendësuar Gutin, ndërkohë që Reali i Madridit ishte në rrugë të mbarë për atë fitore 4-1. Raúli dhe Roberto Karlosi ishin në fushën e blertë në atë kohë dhe ish-lojtari i Mancester Junajtid, tha: "Të jesh në të njëjtën listë me Roberto Karlosin dhe Raúlin, është një nder, - tha Bekham. - Ata janë dy lojtarë të mëdhenj, që kanë arritur thuajse cdo gjë në futboll." Më tej, ai shtoi: "Liga e Kampioneve është veprimtaria më prestigjioze e klubeve në botë dhe, të luash ndeshjen e 100-të me të, me fanellën e Realit të Madrid, pas aq shumë ndeshjesh me Mancester Junajtid, është me të vërtetë një nder." Ky rekord mbështetet vetëm te ndeshjet që skuadra luan në fazën e ndeshjeve në grupe, deri në finale, dhe ai daton te debutimi evropian i 31-vjecarit për Mancester Junajtid, atë fitore 4-0 në fushën e vet kundër Gallatasarajit më 7 dhjetor 1994. Bekhami arriti të shënonte në atë ndeshje të parin e 16 golave që ai ka shënuar në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të Evropës, pa përfshirë këtu ndeshjet në turet eliminatore. Bekham, një fitues i Ligës së Kampioneve me Mancester Junajtid në sezonin 1998/1999, është tashmë në sezonin e tij të tretë me Realin e Madridit.