Kaka: Goli im, për kthesën e madhe të sezonit të Milanit

Altin B. Kodra
"Ishte shumë e rëndësishme që të fitonim, dhe sidomos në fushë të huaj, pas katër barazimesh radhazi, - tha Kaka
Sulmuesi brazilian, Kaka, deklaroi se fitorja 1-o që Milani arrit të martën në mbrëmje në fushën e Anderlehtit në Ligën e Kampioneve, do të jetë pika e kthesës së madhe të atij që padyshim ka qenë një sezon zhgënjyes deri më tani për skuadrën italiane. Përpara ndeshjes së Anderlehtit, Milani kishte marrë vetëm barazime në katër ndeshjet e mëparshme, 3 prej tyre në Serinë A dhe një në Ligën e Kampioneve, dhe kishte shënuar vetëm një gol. "Ishte shumë e rëndësishme që të fitonim, dhe sidomos në fushë të huaj, pas katër barazimesh radhazi, - tha Kaka, pasi kishte shënuar të vetmin gol të ndeshjes së zhvilluar në Bruksel, me një goditje mjeshtërore nga jashtë zonës. - Kjo do të na ndihmojë mjaft, si në Ligën e Kampioneve, ashtu edhe në kampionatin italian." Fitorja e së martës e la Milanin në krye të renditjes së grupit H, me 7 pikë të marra në 3 ndeshje, i ndjekur nga Lila, me dy pikë më pak. "Anderlehti me të vërtetë ushtroi presion dhe, mos harroni që goditën edhe traversën e portës sonë, - theksoi Kaka. - Gjithsesi, ky ishte një rezultat i kënaqshëm dhe besoj se ne e merituam atë." Braziliani këmbënguli gjithashtu se Milani, i cili e filloi sezonin e ri të kampionatit italian me një ndëshkim prej -8 pikësh, për shkak të skandalit të trukimeve dhe përgjimeve, e kishte lënë tashmë prapa atë fillim të dobët të sezonit. "Në kampionatin italian, e filluam me -8 pikë dhe kjo na i vështirësoi gjërat, - tha Kaka. - Por ky është shndërruar gjithashtu edhe në një motivim për ne dhe mendoj se tashmë e kemi lënë pas atë fillim të dobët dhe mund të synojmë për një sezon të madh." Sulmuesi brazilian premtoi gjithashtu "shterpësia" e golave do të merrte fund për Milanin. Ka qenë thjesht cështje e një fati keq që topi nuk hynte në rrjetë... por golat do të vijnë", - theksoi braziliani.