E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionet: Çelsi fiton raundin e parë me Barcelonën

Altin B. Kodra
Celsi ka fituar raundin e parë të përballjes me rivalen e saj në këto dy sezone të fundit të Ligës së Kampioneve, Barcelonën, duke triumfuar dje në mbrëmje në stadiumin "Stemford Bridxh" të Londrës, falë një goli të vetëm, me autor Didier Drogbanë, dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Kjo bëri që londinezët të hedhin edhe një hap tjetër drejt kualifikimit për më tej në Ligën e Kampioneve, ndërsa katalanët e gjejnë veten në vendin e dytë, por me pikë të barabarta, 4, me Verder Bremenin, që dje ka mposhtur në fushën e vet Levskin e Sofies, me rezultatin 2-0. Golat e skuadrës gjermane mbajnë firmën e dy brazilianëve, Naldo dhe Diego, por kjo humbje nënkupton se skuadra bullgare është thuajse e eliminuar në këtë debutim të saj në Ligën e Kampioneve. Ndërkaq, në grupin B, është Bajerni i Mynihut që konfirmon formën e shkëlqyer dhe supremacinë që po shijon në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve evropiane, pasi ka triumfuar mbrëmë në Lisbonë përballë Sportingut vendas. Bastian Shvajnstajger ishte heroi dhe mëkatari i bavarezëve, pasi shënoi golin e fitores, me një goditje nga një largësi prej 30 metrash, në minutën e 19-të, por, menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe e la skuadrën e tij me 10 lojtarë. Gjithsesi, Bajerni afrohet edhe matematikisht me një vend në turin e 16-shes, pasi kryeson i shkëputur me 9 pikë dhe fitorja në Portugali, i dha mundësi italianëve të Interit të ringjallin shpresat për më tej, pasi fituar 2-1 në "San Siro" kundër rusëve të Spartakut të Moskës dhe u ngjitën në kuotën e 3 pikëve, në vendin e tretë, një pikë pas Sportingut. Në grupin C, kanë ngadhënjyer skuadrat udhëtuese, pasi Liverpuli i është falur një goli të vetëm të Piter Kraucit, për të mposhtur Bordonë në fushën e kësaj të fundit, ndërsa PSV-ja e Eindhovenit ka kapërcyer pësimin e një goli dhe ka shënuar dy herë në Stamboll, duke fituar 2-1 me Gallatasarajin. Anglezët dhe holandezët kryesojnë grupin me nga 7 pikë secila, ndërsa dy skuadrat e tjera, mbeten me një pikë dhe fare pranë eliminimit. Po kështu, kanë konfirmuar statusin e tyre si favorite në grupin D, edhe Valencia dhe Roma, pasi spanjollët kanë mposhtur Shahtjorin e Donjeckut me një dygolësh të David Vijës, ndërsa romanët iu falën një goli të Simone Perrotës në Athinë ndaj Olimpiakosit. 18 tetor 2006 Verder Bremen 2 Levski Sofia 0 Shënues: Naldo 45'+1, Diego 73' Gjyqtar: Pol Alaerts (Belgjikë) Stadiumi "Veserstadion", Bremen Celsi 1 Barcelona 0 Shënues: Didier Drogba 47' Gjyqtar: Frenk De Blekere (Belgjikë) Stadiumi "Stemford Bridxh", Londër Inter 2 Spartak Moska 1 Shënues: Hulio Kruz 2', 9' / Roman Pavljucenko 54' Gjyqtar: Bertrand Lajek (Francë) Stadiumi "Xhuzepe Meaca", Milano Sporting Lisbonë 0 Bajern Mynih 1 Shënues: Bastian Shvajnstajger 19' Gjyqtar: Terje Hauge (Norvegji) Stadiumi "Zhozé Alvalade", Lisbonë Bordo 0 Liverpul 1 Shënues: Piter Krauc 58' Gjyqtar: Tom Henning Ovrebo (Norvegji) Stadiumi "Stade Chaban-Delmas", Bordo Gallatasaraj 1 PSV Eindhoven 2 Shënues: Sasha Ilic 19'/ Jan Kronkamp 59', Aruna Kone 72' Gjyqtar: Juri Baskakov (Rusi) Stadiumi Olimpik "Atatyrk", Stamboll Valencia 2 Shahtjor Donjeck 0 Shënues: David Vija 31', 45' Gjyqtar: Majk Rili (Angli) Stadiumi ‘Mestaja", Valencia Olimpiakos 0 Roma 1 Shënues: Simone Perrota 76' Gjyqtar: Graham Poll (Angli) Stadiumi "Jorgos Karaiskakis", Athinë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›