E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekim Bala shpallet Talenti i sezonit

çmimi Pas shkodranit, në anketën e shoqatës sportive “Sporti na bashkon”, renditen Roshi dhe Cikalleshi

Bekim Bala, sulmuesi i Vllaznisë, është vlerësuar me çmimin “Talenti i sezonit”. Talenti shkodran fitoi trofeun e edicionit të dytë, të organizuar nëpërmjet një ankete nga shoqata sportive, “Sporti na bashkon”. Me paraqitjet dhe golat e tij, 19-vjeçari ka qenë një prej lojtarëve më të spikatur të kuqebluve, ndërsa ai ka fituar edhe një thirrje nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, për dy miqësoret e ardhshme me Malin e Zi dhe Andorrën. Ai e mbylli edicionin me 17 gola: 9 rrjeta në kampionat dhe 8 në Kupën e Shqipërisë. Ceremonia e shpërndarjes së çmimeve, e cila u drejtua nga aktori Vasjan Lami, është organizuar vetëm 24 orë pas mbylljes zyrtare të kampionatit në vend, në Teatrin Kombëtar. Ajo është shndërruar në një festë të vërtetë, ku nuk mund të mungonin personazhe të nderuar të sportit, ish-futbollistë të famshëm, ish-trajnerë të Kombëtares, drejtues të Ministrisë së Sporteve dhe gazetarë.

Bekim Bala fitoi çmimin e parë, duke u shpallur fitues nga një listë ku fillimisht ndodheshin 25 futbollistë të Kategorisë Superiore, seleksionimi i të cilëve u realizua në bashkëpunim me ekspertët e FSHF-së. Votimi në të cilin u vlerësuan shtatë lojtarë, gjashtë prej të cilëve nën 21 vjeç, u zhvillua në tri drejtime. Në grupin e parë përfshiheshin votat e specialistëve që punojnë në FSHF dhe të specialistëve të futbollit, në grupin e dytë ishin vlerësimet e gazetarëve, ndërsa në grupin e tretë u votua nga tifozët nëpërmjet sms-ve. Përveç fituesit, u shpërndanë edhe dy çmime të dyta dhe tri çmime të treta për talentet e rinj, si edhe çmimi “fair play”, i cili iu dorëzua portierit të Besës, Orges Shehi. Kosta Leka, kryetari i shoqatës “Sporti na bashkon”, deklaroi: “Bëhet fjalë për një traditë të re. Ne si shoqatë dëshirojmë ta vazhdojmë sa më gjatë për promovimin e talenteve të reja të futbollit në vendin tonë”. Ndërkohë, kryetari i jurisë, Gëzim Nushi, i cili është edhe njëri prej gazetarëve më të vjetër sportivë në Shqipëri nënvijëzoi se “zgjedhja e më të mirëve ishte mjaft e vështirë, për shkak se konkurrenca ishte e madhe”.

“Ndihem mjaft i emocionuar që jam shpallur fitues i kësaj ankete. Ky çmim rrit përgjegjësinë për të ardhmen. Njëkohësisht ndihem edhe shumë i lumtur për grumbullimin në Kombëtare”, deklaroi Bala. çmimi për sulmuesin u dorëzua nga drejtori i sporteve në MTKRS, Vasil Bici, i cili tha: “Në emër të ministrisë përshëndes organizatorët në këtë edicion të dytë, një eveniment shumë i bukur jo vetëm për përzgjedhjen e talenteve. Në të ardhmen, sponsor do të jetë edhe institucioni që unë përfaqësoj”. çmimet e dyta iu dorëzuan sulmuesit të Flamurtarit, Odise Roshi, dhe sulmuesit të Besës, Sokol Cikalleshi. Tri çmimet e treta u fituan nga portieri i Flamurtarit, Shpëtim Moçka, mbrojtësi i Tiranës, Ditmar Bici dhe Migel Metani i Gramozit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›