Cana: Në verë mund të kaloj tek Arsenali
Aventura e Lorik Canës te Sandërlendi mund të përfundojë vetëm pas një sezoni. Kjo, për shkak se mesfushori shqiptar ka shanse të mëdha që gjatë merkatos së verës të transferohet te një prej klubeve më të mëdha në Angli: Arsenali. Paraqitjet e shkëlqyera të 27-vjeçarit me “macet e zeza” gjatë sezonit që sapo përfundoi, kanë bërë që trajneri Arsen Venger të interesohet sërish për shërbimet e tij. Aktivizimi në “Stadiumin e Dritës” ishte një provë të cilën Cana e kaloi me sukses dhe tashmë ai ka shansin të luajë për një nga “big four” në Premiership. “Gjatë kësaj vere ka shumë mundësi që të transferohem tek Arsenali”, deklaroi zv.kapiteni i përfaqësueses kuqezi. “Së fundmi, drejtuesit e ‘topçinjve’ kanë shfaqur sërish interes për mua. Duhet të presim ofertën konkrete dhe që Arsenali të gjejë akordin me Sandërlendin, klubin që zotëron kartonin tim”. Rreth aventurës në ishull, ai shtoi: “Në aspektin personal jam i kënaqur, pasi kam zhvilluar një sezon pozitiv me Sandërlendin. Natyrisht që do të dëshiroja një vend më të lartë në klasifikim, megjithatë futbolli në Angli është mjaft i fortë dhe ka shumë rivalitet”. Për sa i takon Kombëtares dhe dy miqësoreve me Malin e Zi, më 25 maj në Podgoricë dhe Andorrën, më 2 qershor në Tiranë, Cana tha: “Mendoj se këto dy ndeshje janë mjaft të rëndësishme për përfaqësuesen tonë në kuadër të eliminatoreve të Euro 2012. Trajneri do të vëzhgojë formën e lojtarëve, do të testojë disa elementë të rinj dhe mbi të gjitha do të krijojë një ide për skemat e lojës që do të përdoren në dy sfidat e para kualifikuese kundër Rumanisë dhe Luksemburgut”.
Gjatë ditës së djeshme, 26 futbollistët e grumbulluar nga Josip Kuzhe kanë zhvilluar dy seanca stërvitore në fshatin Luz. Me ekipin është bashkuar edhe mbrojtësi i Arisit, Kristi Vangjeli. Korçari, i cili ka probleme në gju, së bashku me Edmond Kapllanin, që ka pësuar një dëmtim në kavilje, zhvilluan stërvitje të diferencuar.
#