Vllaznia hap tenderin për trajnerin
Pa u ftohur mirë stoli i trajnerit, pas shkarkimit të menjëhershëm të Martinit pak orë pas humbjes me Teutën (0-2), Vllaznia ka hapur tenderin për trajner. Në qarkullim janë hedhur emra kandidatësh, teknikë të njohur në kampionatin tonë, si Medin Zhega, Agim Canaj, Esad Karishik, apo edhe Armando Cungu. Vetë klubi nuk ka preferuar të konfirmojë asgjë, por gjithsesi tre të parët shihen si pretendentët për të drejtuar Vllazninë e sezonit të ardhshëm. Zhega, një shkodran i lindur, ish-lojtar i Vllaznisë, përveç drejtimit të disa skuadrave të moshave të reja, brenda dhe jashtë vendit, ka në CV edhe një eksperiencë në drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë. Kjo nuk do të ishte hera e parë që ai drejton Vllazninë, pasi e ka bërë një gjë të tillë më parë në 2003-shin, edhe pse për një kohë të shkurtër. Për momentin po shijon pushimet, pas përfundimit të mandatit 4-vjeçar si anëtar i Komitetit Ekzekutiv. Por është një kandidaturë e lakmuar, pasi për të mësohet se interesohet dhe Flamurtari. Po ashtu duket se ka marrë një ofertë joshëse nga Rumania. Gjithsesi tekniku i njohur duket më i joshur nga fakti se mund të drejtojë skuadrën e vendlindjes së tij, e cila e lançoi në futbollin shqiptar si një sulmues i spikatur. Një fakt që e bën më pak të besueshëm ka të bëjë me atë që emri i tij ka qarkulluar shpeshherë për stolin e Vllaznisë, por është realizuar. Emri tjetër është ai i Agim Canajt, trajnerit aktual të Gramozit, i cili nuk është i panjohur për Vllazninë, të cilën e ka drejtuar në 2008-2009 (u largua mes shumë polemikash në shkurt të 2009-s, pas humbjes me 0-4 ndaj Teutës, ku u fol madje edhe për një komplot të lojtarëve). Megjithatë ai mbetet i pëlqyer nga drejtuesit shkodranë për punën e palodhur dhe korrektësinë në kryerjen e saj. Vllaznia, nën drejtimin e tij, luftonte për titull kampion, duke rivalizuar hap pas hapi Tiranën. Emër tjetër impresionues për pankinën kuqeblu është edhe Esad Karishik, i njohur në futbollin shqiptar si trajneri i Apolonisë deri në fundin e fazës së parë të kampionatit, kur rivalizonte Dinamon e Besën për kreun e tabelës, por pas largimit të tij, tashmë skuadra fierake vajton rënien në Kategorinë e Parë. Trajneri serb u përfol edhe para emërimit të Martinit dhe tashmë konsiderohet si një kandidaturë potenciale. Humbja me Teutën të mërkurën nuk është përtypur nga drejtuesit e klubit shkodran, të cilët pasi kanë shkarkuar stafin teknik, dje kanë përjashtuar edhe portierin Olti Bishani. Por furtuna nuk mbaron me kaq, pasi në ditët e ardhshme priten të tjera përjashtime. Ndërsa për shkak të paraqitjes shumë të dobët dhe zhgënjyese të të gjithë ekipit në ndeshjen me Teutën, klubi ka vendosur gjobitjen e të gjithë futbollistëve dhe stafit drejtues me nga një rrogë mujore.
#