E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekim Fehmiu nuk na la borxhe

Nga Halil Matoshi

Sipas thënies patetike të autores Puntorie Ziba, nese Bekim Fehmiu  … rrinte varur në ajër, afër pjellës së farës së egër…, atëherë, pjella biologjike e Bekimit, janë Uliks dhe Hedon Fehmiu, të cilët, nga ky mesazh letrar që u vjen nga vendlindja e babës, do ta harrojnë fare humbjen e të atit dhe do të duhej të kërkonin drejtësi, duke e paditur autoren delikuente për fyerje, si dhe jurinë profesionale që e shiten në publik bërllokun si vlerë estetike

Lajmi medial është ky: Anëtaret e komisionit për vlerësimin e poezive Arsim Rexhepi, Ibrahim Kadriu dhe Xhevahire Izmaku, në përfundim të këtij festivali ndan çmimin e parë për dy poetet, Yllka Filipi, nga Shqipëria me poezinë Sëpata, si dhe Puntorie Zibës, nga Maqedonia me poezinë Një rrugë kushtuar kolosit të filmit, Bekim Fehmiut.

Duke qenë se i dedikohej aktorit Fehmiu, e kërkova dhe arrita ta gjej këtë poezi-model të injorancës, mburravecërisë dhe megalomanisë që ka vërshuar aktualisht dhe ka mbuluar  me bërllok të gjitha vlerat, që nga politika, arsimi e deri tek artet dhe letërsia.

Kur Kuvendi i Kosovës, para rreth një viti nuk i bëri nderimet kolosit të skenës, Bekim Fehmiut, me një minutë heshtje, tërë barra ra mbi Jakup Krasniqin, por tashti po shihet se kjo mendësi është institucionalizuar përfundimisht, pos politikës edhe në arte e letërsi. Arsim Rexhepi, një lexues i poezisë dhe Xhevahire Izmaku, një anëtare e partisë së Krasniqit, nuk kanë ndonjë peshë dhe dije të etabluar për ta vlerësuar se çështë poezi e çka jo, por habit shkrimtari Ibrahim Kadriu, autor i një dyzine librash, gazetar i vjetër, që firmos dhënien e një çmimi letrar nacional, një poezie fashiste, që fyen jo vetëm serbët por edhe vetë aktorin me famë botërore Bekim Fehmiun. Një poezi diletante, pa asnjë vlerë estetike, e shkruar sipas modelit nacional-socialist, plot figura të zeza barbarësh që pinë lumenj gjaku shqiptarësh, që rrjedhin nëpër secilin varg, kurse Bekimi i vetmuar, i turpëruar dhe i pashpresë, jo vetëm që duron, por ai madje justifikon, duke jetuar afër pjellës së farës së egër. Kjo u përafrohet letrave linçuese gebellsiane ose staliniste, të cilat rrëmonin në jetët private të secilit qytetar gjerman ose rus. Prandaj autorja gati s anuk klith: e po kush i ka faj, artistit që jetoi afër pjellës së farës së egër, që në këtë rast është aktorja serbe Branka Petriq, gruaja e ligjshme e Fehmiut.

Logjikisht, pjella e Bekimit, janë Uliks dhe Hedon Fehmiu, të cilët, nga ky mesazh letrar që u vjen nga vendlindja e babës, do ta harrojnë fare humbjen e të atit dhe do të duhej të kërkonin drejtësi, duke e paditur autoren delikuente, si dhe jurinë profesionale që, e para i quan farë të egër, kurse këta të dytët (juria) e shesin në publik si vlerë të shpërblyer.

Fyerje publike më e madhe Bekim Fehmiut nuk i është bërë as nga ata me të cilët grushtohej dikur, kur ia shanin atdheun.

Këtij vargu deklamues që fyen e thërret për hakmarrje, do tia kishin lakmi edhe vet Jovan Cvijiqi, ose Ivo Andriqi e Vasa Çubriloviqi, që i cilësonin shqiptarët si të egër e me bishta

Në poezinë e shpërblyer, aktori tek ec nëpër Beligrad pa këmbë shqiptare (sharrexhitë e tij) përqeshen nga pemët gojëliga kurse qentë e macet kombëtare serbe e shikojnë përçudnisht!?

Derisa e vranë, konkludon autorja

Po. Të qenit personazh në këso poezie turbonacionaliste dhe fyese deri në përmasat e fashizmit është vrasje. Pra vdekje e dytë për artistin. Ai është dashur ta lë në testamentin e tij shumë më qartë: të mos guxojë kush ti thurrë këngë dhe poezi!?

Filozofi gjerman Sloterdijk do të thoshte duke iu referuar nacizmit se nga psikosomatika e frymës së kohës edhe bythet mëtohej të nacionalizoheshin, të bëheshin bythë gjermane, psikosomatikë që gjen rastin të shfaqet tek një poete injorante, e cila I nacionalizon edhe qentë dhe macet belgradase!?

Poezia perdhosëse ndaj qytetarit Fehmiu dhe familjes së tij, ndaj veprës dhe mbi të gjitha ndaj amanetit të tij të fundit ose testamentit të artistit, mban titullin: Një rrugë (Kolosit të filmit, Bekim Fehmiut) dhe është shkruar nga Puntorie Ziba, autore nga Shkupi. Për të mos zënë hapësirë dhe për të mos ndotur ambientin edhe ashtu të ndotur në mendësinë kosovare po i sjell vetëm disa nga margaritarët e kësaj poezie të shpërblyer në nivel kombëtar. Shekulli 21. Dekada e dytë. Kosovë (Vushtrri).

/Eh, ti ecje vetëm (…) mes shikimesh të përçudnuara/qensh e macesh rrugaçe beogradase/ (…) kur hapëroje kokulur, rrugës së Kalemegdanit/ me këmbët e tua të vetmuara, kur anash pemët gojëligapërqeshnin sharrëxhinjtë e tu…?/ Edhe në shtrat/trupi yt i bukur/ i zënë rob/nuk prehej/se rrinte varur në ajër/afër pjellës së farës së egër./Çdo mëngjes të ftohtë/ i dëgjoje si të shanin e të rrihnin/belgratshe (…) ku ti prenin kokat/ e gjakut të derdhur lum/ ku ecje me këmbë lypësi e mbreti/pa këmbë shqiptari (…) mbete i ngujuar aty/ në Beligrad/ derisa të vranë/ në pellgun e gjakut të kokave tua (…)/ ectr!

Unë, po skuqem në vend të saj!

Kjo poezi është edhe një grusht baltë mbi vlerat e vërteta të artit dhe dëshmi e katandisjes dhe degradimit shpirtëror dhe mendor të  shoqërisë kosovare. Kjo është mendësia kombëtare në vendlindjen e artistit, i cili, pikërisht ndaj kësaj mendësie u rebeluar një jetë njeriu.

Për lexuesit që nuk e dinë, po sjell këtu testamentin artistik të Bekim Fehmiut, që janë vargjet lajtmotiv të Dushan Vasilevit, poezia Njeriu që këndon pas luftës: /Unë kam shkelur në gjak deri në gjunjë/dhe ëndrra më nuk kam./Motra më është shitur/nënës flokët e thinjura ia kam krehur./Unë nuk kërkoj hise në këtë botë lavire dhe të baltosur,/unë jam i etshëm për ajër, qumësht/dhe për këtë vesë të bardhë të mëngjesit/

Bekim Fehmiu nuk ka lypë nga bashkëvëndasit e tij ti thurin oda e lavde, madje as vargje.

Pos ajrit dhe qumështit.

Asgjë tjetër.

Më  së paku e meritoi fyerjen…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›