Bekim Kuli: Di unë sesi mundet Vllaznia
Skënderbeu
Korçarët, të cilët kanë zhvilluar dy sezone të shkëlqyera dhe kanë fituar dy tituj kampionë radhazi, sot do të nisin luftën për të tretin. Por, ndryshime të shumta kanë përfshirë klubin bardhekuq, duke filluar që nga presidenca. Artan Takaj mori drejtimin e skuadrës pas ndeshjes eliminatore të Champions League, ditën kur dhe Agim Zeqo dha dorëheqjen përpara bordit drejtues të Skënderbeut dhe të gjithë mbështetësve të sportit. Fill pas kësaj erdhën dhe ndryshime të tjera, trajneri Levi së bashku me ndihmësit e tij u larguan menjëherë, duke hapur krahun për trajnerët shqiptarë. Mirel Josa mori drejtimin e ekipit dy ditë më vonë dhe filloi të bënte planet e tij për merkaton dhe për kampionatin që do të pasonte më vonë. Megjithatë, një valë largimesh përfshiu ekipin, Muzaka, Biskup, Allmuça e shumë të tjerë zgjodhën të largoheshin nga Skënderbeu. Kjo solli dhe një dobësim të organikës së skuadrës, por gjithçka u mbyll në javët më vonë. Firmat e Sabjen Lilajt dhe Pero Pejiç mbuluan gropën e lënë nga të ikurit. Shumë emra të tjerë u bënë pjesë e korçarëve, por fama e tyre nuk vlen. Ata pritet të konfirmohen në takimet e ardhshme. Pavarësisht lëvizjeve, në ekip mbeti besnik mesfushori me tipare sulmuese, Bekim Kuli. Kavajasi e tregoi veten mjaft mirë kur veshi për herë të parë fanellën në ndeshjen kundër Debrecenit dhe arriti të inkuadrohej mirë në fushë, duke iu shërbyer shokëve të skuadrës. Kavajasi ka ngritur disa trofe, ku më kryesori është ai me Dinamon në vitin 2008, i cili është i fundit për të. Këtë vit ai synon të ngrejë lart edhe një tjetër titull kampion, pra me Skënderbeun. Për sa i përket ekipit të parë kundërshtar, 28-vjeçari tregon: Po e pres me padurim takimin e parë kundër Vllaznisë. Atë skuadër nuk e njoh nga brenda, por disa nga futbollistët i njoh nga afër. Mendoj se skuadra ku unë luaj i ka të gjitha shanset për të fituar, sepse në organikë ka futbollistë me emër dhe të talentuar. Skënderbeu ka në përbërje lojtarë që dinë ta gjejnë golin, e sidomos në repartin ofensiv. Kështu që Vllaznia do të pësojë gola, sepse jemi pesë emra që shënojmë. Dua që skuadra të luajë në sulm dhe ta hapim ne të parët kampionatin me gol, mbyll Kuli.
Bekim Kuli: Di unë sesi mundet Vllaznia burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip