E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtim Duro: Tregojmë dhëmbët që në fillim

Gazeta Shqip

Vllaznia

Në djepin e kulturës dhe të sportit janë të gjithë në pritje të ditës së parë të Superligës për sezonin 2012-2013. Skuadra shkodrane e nisi merkaton me bujë, ku në postin e trajnerit u vendos Shpëtim Duro në vend të Armir Grimës, i cili qëndroi provizorisht aty pas përjashtimit të Rudi Vatës. Megjithatë, drejtuesit e Vllaznisë janë të bindur se me këtë merkato dhe me këtë trajner do tia dalin mbanë në ndeshjen e parë që do të luhet sot në Loro Boriçi. Për këtë sfidë hapëse, tekniku Duro deklaron: Jemi të përgatitur fizikisht dhe moralisht për ta fituar këtë takim. Ne kemi krijuar një ekip solid, pasi merkato është zhvilluar ashtu siç duhej, ku nuk ka lojtarë mangët apo shtesë. Sulmi dhe mbrojtja janë dy pikat më të forta të ekipit tim, gjithashtu edhe portieri Vujadinoviç është në gjendje të shkëlqyer. Me këtë dua të them se do të synojmë vetëm trepikëshin dhe nuk do të tolerojmë asnjë rezultat tjetër. Skënderbeu ta pyesë veten mirë përpara se të vijë në stadium, pasi ne jemi të gjithë në sulm. Unë e njoh mirë ekipin kundërshtar, gjithashtu ia di dhe pikat e dobëta, kështu që kjo ma lehtëson punën time dhe besoj se do ta nisim mbarë, – përfundon kërcënimin e tij tekniku kryeqytetas, i cili e merr në dorëzim skuadrën shkodrane pas disa vitesh shkëputje. Ai erdhi në krye të detyrës në muajin qershor, kur filloi dhe të riformatojë ekipin. Kërkesat e drejtuesve janë të mëdha, por edhe plotësimet e dëshirave të trajnerit kanë qenë në këtë nivel. Kështu që sot mbetet vetëm për tu parë kjo ndeshje, e cila mund të na japë dhe një hamendësim për të ardhmen e dy ekipeve. Kjo, pasi Skënderbeu vjen nga dy humbje të mëdha, njëra në finalen e Kupës së Republikës dhe tjetra në Superkupë.

Shpëtim Duro: Tregojmë dhëmbët që në fillim burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›