Bektashinjtë kremtojnë Festën e Novruzit
Baba Dede Reshat Bardhi u uron besimtarëve festën
Bektashianët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni kanë festuar dje festën e Novruzit ose ditën e parë të pranverës zyrtare, në të gjitha territoret ku ata jetojnë. Me këtë rast, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane u zhvilluan një sërë ceremonish të drejtuara nga Kryegjyshi Baba Dede Reshat Bardhi. Duke iu drejtuar besimtarëve ai u uroi begati. Bekim paçi kurdoherë në veprat tuaja të mira! Zoti ju dhashtë shkëlqim dhe dritë në udhën tuaj! I lutemi Zotit të na lartësojë e të na mbushë me dashuri. Të na mundësojë përkushtimin moral e atdhetar duke përbuzur egoizmin, veset e huaja dhe të falim dashuri njeriut për njeriun dhe lumturi familjare, - uroi kryegjyshi i Kryegjyshatës Bektashiane, Baba Dede Reshat Bardhi. Në fakt, festa e Novruzit është pikërisht festa e ardhjes së pranverës ose ekuinoksi, fillimi i zgjatjes së ditës më shumë se nata. Në Shqipëri, kjo festohet dy herë rresht me Ditën e Verës (në fakt, pranverën) më 14 mars, edhe Ditën e Sulltan Novruzit më 22 mars, që në thelb janë e njëjta gjë. Festa e Novruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Në thelb, pavarësisht datave dhe kalendarëve, këto festa janë të njëjta: janë festa të rigjallërimit dhe fillimit të një cikli të ri të jetës në tokë. Pra, ajo që dikur në origjinë të popujve të Lindjes ishte një festë disaditore (rreth dy javë), tek shqiptarët, edhe për shkak të ndërthurjes së kalendarëve të ndryshëm në histori, është ndarë në dy festa: në Ditën e Verës (14 mars) dhe në Ditën e (Sulltan) Novruzit (22 marsi). Një nga popujt më të vjetër të historisë së njerëzimit, persët (iranianët e sotëm), ditën e parë të verës e kanë vënë edhe si kufi të ndërrimit të viteve. Iranianët, ndryshe nga shqiptarët dhe shumica e botës, fillimin e vitit të ri të tyre e kremtojnë në fillim të stinës së pranverës dhe pikërisht në ditën e parë të muajit iranian Farvardin (zakonisht përkon me datën 21 mars ose një ditë më parë). Kjo ditë, e cila në kulturën iraniane quhet Noruz, sivjet fillon më datë 20 mars. Noruz, që në shqip ekziston në formën Nevruz, Novruz, Sulltan Novruzi, është një fjalë e vjetër perse që nuk ka pasur lidhje me fenë, por shpreh kufi kohorë. Në persisht noruz do të thotë ditë e re, mot i ri.