E Diel, 1 Nëntor 2026

Belegu jo rrëmbim, por largim nga banesa

Dosja Transferohen hetimet nga drejtoria në Komisariatin e Policisë Nr. 1, pasi ndryshon klasifikimi

Hetimet për Eduard Belegun, ish-këshilltari i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, do të kryhen tanimë nga uniformat blu të Komisariatit Nr. 1, pasi ka ndryshuar klasifikimi i dosjes, nga rrëmbim personi në largim nga banesa. Pak kohë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda e transferoi dosjen “për zbulim” në polici, pasi nga hetimet disamujore nuk u gjet ndonjë gjurmë jete e tij. Dosja është dërguar në Drejtorinë e Tiranës dhe prej këndej ajo do t’i dërgohet Komisariatit të Policisë Nr. 1 për hetime të mëtejshme. Ky delegim është bërë nga seksioni i krimeve kundër personit, pasi nuk ka asnjë të dhënë për rrëmbimin e tij dhe se kjo dosje do të hetohet për largim nga banesa. Pas një deklarimi, ku thuhej se Belegu ishte dëgjuar të debatonte me zë të lartë me persona të tjerë, Komisariati i Policisë Nr. 1, në zonën e mbulimit të të cilit banon familja Belegu, ia ka përcjellë këtë hetim seksionit të krimit kundër personit, pasi kjo vepër penale hulumtohet nga këta të fundit. Ekspertët nisën të mbledhin të dhëna dhe pasi kanë përpiluar dosjen paraprake e kanë përcjellë atë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për hetime të mëtejshme.

Mungesa e provave

Deri tri javë më parë pista e hetimit ka qenë ajo e rrëmbimit, por nuk ka pasur asnjë të dhënë për të hedhur dritë mbi zhdukjen e Belegut. Gjatë kësaj kohe janë verifikuar banesat e të afërmve, që mendoheshin si vendstrehim për të. Gjithashtu janë kontrolluar pronat e Belegut, si dhe është kërkuar informacion në pikat e kalimit kufitar, nga ku kanë ardhur përgjigjet se Eduard Belegu nuk rezulton ta ketë lënë Shqipërinë para se të deklarohej i humbur. Në kushtet e mungesës së informacioneve të vlefshme për të zbuluar atë që ka ndodhur me Eduard Belegun, Krimet e Rënda e kanë transferuar dosjen në polici. Nga njëra anë prokurorët dyshonin për një rrëmbim të mundshëm, por duke mos gjetur fakte ata hodhën idenë se në këtë rast mund të kemi të bëjmë edhe me një largim nga banesa. Për rastin e parë, kompetente është Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa për të dytin Prokuroria e Rrethit. Përpos këtyre diskutimeve, puna hetimore është përqendruar për gjetjen e fakteve për të zbardhur fatin e Belegut.

Hetimi pa rezultat

Pasi hetuesit u siguruan se Belegu nuk kishte dalë nga Shqipëria, në rrugë tokësore apo ajrore dhe se ai nuk ishte në asnjë nga banesat e të afërmve të tij, u vendos të mbahen në kontroll një pjesë e të dyshuarve që mendohej se kishin dijeni për ngjarjen. Megjithatë, as ky veprim nuk ka mjaftuar për të mësuar fatin e ish-këshilltarit të ministrit të Ekonomisë, i hetuar më parë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës nga Prokuroria e Elbasanit.

Një pikë kyçe e hetimeve ishin edhe tabulatet e telefonit të të zhdukurit. Personat që kanë kontaktuar së fundmi me Belegun janë marrë në pyetje dhe nga verifikimet paraprake nuk ka rezultuar ndonjë detaj me vlerë për hetuesit. Një nga provat më të rëndësishme për grupin hetimor ishte edhe mesazhi që ka mbërritur në celularin e të vëllait. Për të mundësuar një hetim të plotë, oficerët e policisë gjyqësore këqyrin ende çdo të dhënë në tabulatet telefonike, nga ku shpresohet të nxirret ndonjë fakt për zhdukjen e tij. Gjithashtu hetimet janë përqendruar edhe tek automjeti, i cili është gjetur në periferi të Tiranës. Ekspertë të fushës po vazhdojnë të bëjnë këqyrjen e tij, ndërsa po mbahen kontakte me familjarët për çdo të re. Burime nga policia dhe prokuroria thanë se Belegu ka takuar rreth 25 persona para se të zhdukej, ndërsa ata që kanë komunikuar, qoftë fizikisht, qoftë verbalisht, janë thirrur për dëshmi në polici dhe prokurori. Grupi hetimor ka dyshime se gjatë takimeve me këta persona, Belegu u ka bërë me dije shqetësimet e fundit në lidhje me punën apo me hallet familjare, të cilat nga akuza mund të konsiderohen edhe si pista të një largimi të mundshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›