E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendime alternative për të miturit që kryejnë vepra penale

Psikologia Belinda Guga:

Fëmijët që kanë kryer vepra penale vijnë kryesisht nga familje me probleme të theksuara sociale dhe ekonomike. Sigurisht që edhe mjedisi social që i rrethon ata nxit rrezikun që këta fëmijë të bëhen të dhunshëm dhe devijantë në shoqëri. Shteti duhet të krijojë fillimisht hapësirat e duhura për të marrë përsipër integrimin e kësaj kategorie. Fakt është që në Shqipëri mungojnë ambientet fizike, si shkollat e riedukimit. Por nuk do të shërbente vetëm kaq për rehabilitimin e tyre. Duhet investuar më tepër në programet sociale që përfshijnë grupmosha të ndryshme, duke filluar që nga fëmijët e vegjël. Një nga kanalet që duhet t’i kushtohet rëndësi për integrimin e fëmijëve krahas këshillimit psikosocial të tyre, është edhe edukimi i familjes, pra prindërve. Në shumicën e rasteve familjet e këtyre fëmijëve janë me probleme, të cilat nuk mund t’i menaxhojnë dot të vetëm. Shkolla luan një tjetër rol mjaft të rëndësishëm, pasi arrin t’i përfshijë prindërit në programe të ndryshme edukative, bashkëpunim që sjell rezultat eficent për fëmijët. Mund të krijohen gjithashtu edhe struktura të ndryshme, duke i përfshirë fëmijët në jetën shoqërore dhe duke kryer punë në shërbim të publikut. Në vendet e tjera europiane gjyqtarët japin vendime alternative, duke i detyruar fëmijët të kryejnë punë publike si në mirëmbajtjen e ambienteve publike, po ashtu edhe në shërbimet e transportit. Mjaft e rëndësishme është që të kanalizohet në drejtimin e duhur gjithë energjia që kanë këta fëmijë, duke trajtuar me kujdes të veçantë të gjitha elementet sociale që ndikojnë në devijimin e sjelljes së tyre.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›