E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belgjika ekstradon tmerrin e Shkodrës

Behar Bajri akuzohet për një numër të madh krimesh. Ai u dënua vetëm me dy vjet burg për vrasjen e policit

Krimi i fundit, vrasja e bashkëshortes vetëm 16- vjeçe në qershor 2002 në Shkodër

TIRANË- Ekstradohet nga Belgjika një nga personat më të kërkuar nga policia shqiptare. Behar Bajri, i cili akuzohet për një numër të madh veprash penale të kryera në qytetin e Shkodrës ka mbërritur dje në mbrëmje i prangosur në aeroportin e Rinasit. Arrestimi i tij është bërë më 17 dhjetor të vitit 2007 mbas një ndjekje sistematike shumë profesionale të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe bashkëpunimit e shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit ndërmjet Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me Interpolin dhe Policinë Belge. Burimet zyrtare të policisë pohuan se Behar Bajri është i njohur si kontingjent kriminal për shkak të kryerjes së disa krimeve të rënda në qytetin e Shkodrës ndër të cilat vrasjen e punonjësit të policisë Petrit Demiri, krim për të cilin pas arrestimit të tij është dënuar me vetëm dy vjet burgim . “Bajri është dënuar me nëntë vjet heqje lirie dhe dy milion lekë gjobë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë për kryerjen e veprës penale të shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë. Ai është autori i dyshuar për disa vrasje të kryera në qytetin e Shkodrës. Ndërkohë është arrestuar disa herë nga strukturat e policisë dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, ai qëndronte në Belgjikë me pasaportë të rreme nën emrin Mitko Kamenov. Një tjetër krim për të cilin është akuzuar Behar bajri është përdhunimi i dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër shtetas. “Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë arrest me burg nën akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç. Po ashtu ky shtetas është autori i dyshuar i disa krimeve të tjera të rënda dhe konkretisht: Me datë 14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkdrës shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy shtetasve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës. Me datë 14.01.1999 në lagjen Vojo Kushi, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati. Me datë 15.02.2001 në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri”,- thanë burimet zyrtare të policisë. Por lista e gjatë e krimeve të kryera nga Bajri vazhdon edhe me një tentativë grabitjeje me armë. Krimi i fundit për të cilin akuzohet 28- vjeçari është ai i vrasjes së bashkëshortes së tij. Me datë 26.06.2002 në banesën e shtetasit Behar Bajri është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Fillimisht familjarët pohuan se ishte një vetëvrasje por kjo nuk e bindi policinë. Hetimet e mëtejshme treguan se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është shtetasi Behar Bajri. “Për akuzat e pagjykuara materialet ndodhen në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Shkodër. Përveç dënimit penal që ai ka marrë dhe që do të kryej, për të gjitha veprat e tjera të kryera prej tij nga ana e policisë po punohet intensivisht për të faktuar ngjarjet e mësipërme”,- thanë burimet zyrtare të Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›