Ruli: Kriza globale do të ndikojë tek emigrantët
Ministri i Energjetikës komenton situatën në Shqipëri dhe pikat më kryesore, ku ekonomia preket nga kriza globale
Ministri i Energjetikës, Genc Ruli, ka pohuar dje se, Shqipëria, nuk mund t’i shpëtojë krizës globale, e cila do të ketë ndikimin e saj kryesisht tek investimet e mëdha, por edhe tek dërgesat e emigrantëve. “Shqipëria nuk është e izoluar aq sa për të mos u prekur nga kriza globale”, - tha ministri Ruli. Ai ka shpjeguar se pasojat e krizës ndërkombëtare mund të prekin në të ardhmen eksportet e Shqipërisë, fluksin e investimeve të huaja në vend dhe dërgesat e emigrantëve, që vlerësohen në rreth një miliardë dollarë në vit. “Sigurisht që Shqipëria nuk është e izoluar nga ky treg global për të mos pësuar impakt. Shqipëria, duke mos pasur një hapje ekonomike ose një integrim tregtar të plotë me tregun rajonal europian dhe atë botëror, vetvetiu është e prekur më pak, për sa u përket ndryshimeve që mund të ndodhnin në shkëmbimet tona tregtare me jashtë”, - tha Ruli.
Sipas tij, ndikimi do të shfaqet kryesisht tek eksportet, të cilat janë gati 90% të orientuara drejt vendeve të BE-së dhe çdo ulje e ritmeve të rritjes, apo e kërkesës konsumatore në vendet e BE-së, vetvetiu mund të shfaqet me një rënie të këtyre eksporteve. Por, ky fenomen, ndoshta mund të izolohet, pasi eksportet me jashtë zënë një përqindje shumë të vogël në ekonominë shqiptare. Një tjetër ndikim i krizës globale pritet që të jetë në investimet e huaja, sidomos ato të sektorit energjetik apo infrastrukturorë, pasi këto duan mbështetje të fuqishme financiare në nivelet e qindra milionë eurove. “Kjo mund të sjellë ulje të ritmit të realizimit të këtyre projekteve ose ndoshta dhe ngrirjen e këtyre projekteve për të rifilluar në një moment të dytë, kur besimi në tregun financiar të jetë vendosur përsëri”, - tha Ruli. Ai shpjegoi se ulje pritet që të ketë edhe sasia e parave që vijnë në Shqipëri nga emigrantët. Sipas Rulit, faktori emigracion është mjaft i ndjeshëm ekonomikisht, qoftë për punësimin që kanë afro një milion e ca shqiptarë që janë në emigracion, të cilët nëse vendet ku ata jetojnë preken nga rënia ekonomike, një pjesë e tyre mund të rrezikojnë dhe gjendjen e papunësisë. Kjo do të reflektohet padyshim, ndoshta, në një ulje të nivelit të dërgesave që ata bëjnë në Shqipëri. “Këto dërgesa janë një nga zërat e rëndësishëm të bilancit tonë të pagesave, duke përkeqësuar në këtë mënyrë ndoshta edhe bilancin valutor të pagesave, duke rritur pra, në këtë rast, edhe deficitin dhe ekspozimin tonë në riskun financiar”, - tha Ruli. Në total, këto dërgesa vlerësohen rreth një miliardë euro në vit dhe çdo pakësim i tyre do të ndikonte ndjeshëm në ekonominë shqiptare. Përllogaritet që, mijëra familje në Shqipëri, kanë të ardhura kryesore paratë që dërgojnë emigrantët dhe, në rast se ato ulen, atëherë këto familje do të ndiejnë menjëherë efektet e krizës.
Bankat Qendrore ulin normën e interesit
Zyrtarët më të lartë të ekonomisë të shumë vendeve do të ulin përqindjet e interesit për të stimuluar ekonominë e dobësuar globale. Banka Qendrore Amerikane pritet ta ulë interesin 0.5 për qind. Banka Qendrore Kineze sapo i ka ulur përqindjet e interesit, ndërsa Banka Qendrore Evropiane pritet t’i ulë interesat javën e ardhshme. Uljet kanë si synim t’i japin një shtysë ekonomisë duke e ulur koston e marrjes hua për të blerë artikujt e nevojshëm për të zgjeruar bizneset, për të ndërtuar shtëpi dhe për të hapur vende pune. Shumë investitorë i mirëpritën këto përpjekje të fundit për të parandaluar recesionin global. Çmimet e aksioneve u rritën në Tokio, Londër dhe Paris. Bursa u rrit disi në Hong Kong, por pësoi rënie në Gjermani. Masat pasojnë ngritjen e madhe të bursës amerikane dje.
Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së ka pohuar se Shqipëria ka situatë të stabilizuar makroekonomike
Kriza globale, BSH nuk ndryshon normën e interesit
Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit. Vendimi është marrë dje nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili nuk e ka parë të arsyeshme ndryshimin, pavarësisht zhvillimeve në ekonomitë botërore. Megjithëse në bankat perëndimore vërehet një qasje kah uljes së normave të interesit, autoriteti ynë financiar nuk e ka parë të udhës të marrë këtë vendim. Sipas tij, mosmarrja e këtij vendimi mbështetet në situatën e stabilizuar makroekonomike që ekziston në vend. Edhe pse ministri Ruli ka deklaruar se Shqipëria nuk është plotësisht e mbrojtur nga rreziku i krizës financiare që ka përfshirë botën, me mosuljen e normave të interesit, Banka e Shqipërisë siguron se nuk parashikohet që vendi ynë të ndikohet nga kriza në fjalë.
Referuar BSH-së, në muajin shtator 2008, inflacioni vjetor shënoi 2.7 %, ndërkohë që inflacioni mesatar vjetor në tremujorin e tretë të këtij viti, zbriti në 3%. Këto norma të ulëta inflacioni janë mbajtur si pasojë e shtrëngimit të kushteve monetare dhe forcimit të normave të mbikëqyrjes bankare, të cilat kanë kontribuar direkt në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në konsolidimin e stabilitetit financiar. Gjithashtu, nëpërmjet sinjalizimit të vullnetit institucional të bankës qendrore për respektimin e objektivit të saj ligjor, këto masa kanë ndihmuar në ruajtjen e besimit të publikut në monedhën kombëtare dhe në sistemin financiar, si dhe në ruajtjen e një niveli të ulët inflacioni. BSH-ja parashikon që situata aktuale të reflektohet edhe në ecurinë e parashikuar të inflacionit, i cili në 12 muajt e ardhshëm do të luhatet rreth objektivit 3 %. Për sa u përket kredive, BSH-ja konstaton se, me gjithë ngadalësimin deri në 41.8 % të rritjes vjetore, kreditimi i ekonomisë vazhdon të jetë faktori kryesor i zgjerimit të ofertës së parasë. Sasia më e madhe e parave të kredituara kanë qenë për bizneset, por nuk mbeten prapa edhe ato për individët. Kompania çeke do të paguajë borxhin 17 miliardë lekë të krijuar gjatë këtyre viteve nga sistemi i shpërndarjes
Berisha: Privatizimi i OSSH-së, jo rritje të çmimit të energjisë
Kompania çeke “Chez”, e cila ka blerë sistemin e shpërndarjes së energjisë në Shqipëri do të paguajë borxhin prej 17 miliardë lekësh dhe, nga ana tjetër, nuk do të kryejë asnjë rritje çmimi. Kjo është pohuar dje nga kryeministri, Sali Berisha, i cili ka theksuar se, gjatë këtyre viteve, kjo kompani është menaxhuar në mënyrën më të keqe të mundshme. “Interes treguan një seri kompanish, por garën e fiton kompania çeke me 102 milionë euro. Sipas përllogaritjes së KPMG-së, kompanisë ndërkombëtare të vlerësimit, e kontraktuar nga IFC-ja, asetet e sistemit të shpërndarjes janë vlerësuar në vlerën prej katër miliardë lekë”, - u shpreh Kryeministri, duke shprehur vlerësimet për kompaninë fituese “Chez”, një kompani me eksperiencë të madhe menaxhuese, e cila ka në pronësi edhe sisteme të shpërndarjes së energjisë në Rumani, Bullgari. Kryeministri shpjegoi se sipërmarrja e shpërndarjes së energjisë elektrike përfshin kabinat dhe nënkabinat, sportelet e pagesave dhe nënstacionet e vogla, ndërsa nënstacionet e mëdha e të mesëm dhe linjat e transmetimit, mbeten publike. Në lidhje me çmimin e energjisë, Berisha pohoi: “qeveria u rezistoi të gjitha tentimeve për rritjen e çmimit. Qeveria përjashtoi elementët që, në mënyrë automatike, mund të rëndonin mbi kurrizin e qytetarëve.” Sipas tij, tashmë është gati edhe privatizimi i INSIG-ut.