Qeveria riklasifikon ndërmarrjet, kushtet që duhen plotësuar
TIRANË - Qeveria bën riklasifikimin e ndërmarrjeve, duke përcaktuar llojin në bazë të të ardhurave vjetore dhe numrit të punonjësve. Në mbledhjen e tij më të fundit, Këshilli i Ministrave vendosi të ndryshojë disa pika të ligjit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sipas klasifikimit më të fundit, ndërmarrje të mesme konsiderohen ato, të cilat kanë të punësuar më pak se 250 punëtorë dhe që kanë një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë. Ndërsa ndërmarrje e vogël konsiderohet ajo ku janë të punësuar më pak se 50 persona dhe ka një bilanc, jo më të madh se 50 milionë lekë. Në rangun e mikrondërmarrjeve, hyjnë ato që nuk kanë më shumë se 10 punëtorë dhe të ardhurat vjetore nuk i kalojnë 10 milionë lekët.
Për sa i përket statusit të tyre, ndërmarrjet kategorizohen në autonome, partnere dhe të lidhura. Ndërmarrje autonome, konsiderohen ato që janë totalisht të pavarura dhe nuk kanë në bordin e tyre asnjë investitor, i cili ka lidhje me ndërmarrje të tjera. Një ndërmarrje e tillë mund të ketë disa investitorë, por me kusht që, secili nga ata, të mos posedojë më shumë se 25 % të kapitalit të saj dhe të mos kenë përputhje interesash me njëri-tjetrin. Një ndërmarrje mund të konsiderohet autonome edhe kur pragu i 25 përqindëshit të kapitalit, ose të të drejtave të votës, arrihet apo tejkalohet nga investitorët, por me kusht që të mos ketë marrëdhënie partneriteti me subjekte të tjera tregtare. Bashkangjitur kësaj, investitorë në këto ndërmarrje mund të jenë edhe personat juridikë dhe shoqëritë e kapitalit, me kushtin që, totali i investimeve të këtyre shoqërive në të njëjtën ndërmarrje, të jetë më pak se 30 milionë lekë, autoritetet vendore me buxhet vjetor më të ulët se 250 milionë lekë dhe me një popullsi më të vogël se pesë mijë banorë, dhe universitetet ose qendrat kërkimore jofitimprurëse. Në çdo rast, pragu nuk mund të jetë më shumë se 50 % e kapitalit ose e të drejtave të votës, me kushtin që investitorët e mësipërm të mos jenë të lidhur, individualisht ose bashkërisht, me ndërmarrjen në fjalë.
Me përjashtim të rasteve të mësipërme, një ndërmarrje nuk mund të vlerësohet si ndërmarrje e vogël apo e mesme, nëse 25 % ose më shumë e kapitalit apo e të drejtave të votës kontrollohen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, bashkërisht apo individualisht, nga një ose më shumë subjekte. Sipas ndryshimeve të fundit, ndërmarrjet janë të lira të deklarojnë statusin e tyre, përfshirë edhe të dhënat mbi numrin e të punësuarve dhe të ardhurave vjetore. Kjo deklaratë është e pranueshme edhe në rastet kur kapitali është i shpërndarë në atë mënyrë që nuk është e mundur të përcaktohet se nga kush zotërohet. Në këtë rast, ndërmarrja mund të deklarojë, në mirëbesim, se as ajo dhe as ndonjë ndërmarrje e lidhur me të, nuk zotëron 25 % apo më shumë të kapitalit.
Një ndërmarrje konsiderohet e “lidhur”, kur ajo është e ndikuar drejtpërdrejt nga vendimet e marra nga një investitor apo kompani tjetër, e cila zotëron maxhorancën e aksioneve të saj. Kështu, këtij aksioneri, i njihet e drejta të emërojë ose të shkarkojë pjesën më të madhe të anëtarëve të organeve administrative, drejtuese ose mbikëqyrëse të kësaj ndërmarrjeje. Të lidhura konsiderohen edhe ato ndërmarrje, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të njëjtin treg, dhe që kanë marrëdhënie ndërvarësie me një person fizik ose grup personash, të cilët veprojnë bashkërisht. RastetKur një ndërmarrje humb të drejtën “e emrit”
Në rastet kur në datën e mbylljes së llogarive, ndërmarrja zbulon se ka tejkaluar ose ka rënë poshtë numrit të të punësuarve, apo tavanit financiar, ajo e humbet të drejtën për t’u konsideruar ndërmarrje e vogël, e mesme apo mikrondërmarrje. Sipas ligjit në fjalë, që një ndërmarrje të konsiderohet e mesme, numri i të punësuarve të saj nuk duhet të jetë me shumë se 250 dhe duhet të zotërojë një bilanc vjetor prej më pak së 250 milionë lekë. Një ndërmarrje e vogël nuk mund të punësojë me shumë se 50 persona, gjithashtu nuk mund të ketë një bilanc vjetor më të madh se50 milion lekë. Për t’u konsideruar mikrondërmarrje, një investitor nuk mund të punësojë me shumë se 10 persona dhe nuk mund të zotërojë një bilanc vjetor më të madh se 10 milion lekë. Në rastin e ndërmarrjeve të reja, llogaritë e të cilave nuk janë miratuar ende, të dhënat për t’u zbatuar do të përftohen nga një vlerësim, në mirëbesim, i bërë gjatë vitit financiar në vazhdim. Në ligj parashikohet që, numri i të punësuarve, të korrespondojë me numrin e njësive vjetore të punës me kohë të plotë. Në të përfshihet puna e personave, të cilët nuk kanë punuar gjatë të gjithë vitit, puna e atyre që kanë punuar me kohë të pjesshme, pavarësisht kohëzgjatjes. Po ashtu, puna e të punësuarve sezonalë, llogaritet si fraksion i njësive vjetore të punës, me kohë të plotë.
--------------------------------------------------------Qeveria shpronëson Kasharin për OST-në
TIRANË - Këshilli i ministrave ka vendosur dje shpronësimin e të gjitha tokave dhe pasurive që ndodhen në zonën e Kasharit, aty ku është parashikuar ndërtimi i Qendrës së re Kombëtare Dispeçer, i zyrave të reja të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sha, Tiranë, dhe Dispeçerisë Qendrore. “Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 20.935 m2, tokë bujqësore/arë, vlerësuar në shumën e përgjithshme 52.487.020 lekë. Fondi do të përballohet nga OST-ja”, - thuhet në vendimin e qeverisë. Sipas tij, shpronësimi të fillojë brenda muajit shtator dhe të përfundojë brenda muajit dhjetor 2008. Brenda këtij afati duhet të përfundojnë edhe punimet për ngritjen e qendrës së re.