E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, letër Nishanit: Na duhen më shumë forca

ANKESA/ Policia Bashkiake nuk mund të përballojë detyrat e shtuara nga ana e Ministrisë së Brendshme

FIER - Rritja e numrit të kundravajtjeve për kontroll nga Policia Bashkiake e qytetit të Fierit, siç është kalimi për menaxhim i biznesit të vogël në pushtetin lokal, detyrimi ligjor që kaky sektor edhe për kontrollin e ndalimit të duhanit, inspektoratin e ndërtimit, si dhe kalimi i kompetencave të qarkullimit rrugor, ka bërë të domosdoshme shtimin e efektivit me punonjës të tjerë. Një fakt i tillë është pohuar nga kreu i Policisë Bashkiake të Fierit, Bashkim Ymeraj. “Me 15 punonjës policie, nga të cilët 13 janë të nivelit bazë, dhe vetëm dy janë oficerë, nuk mund të kryhen këto detyra”, thotë Ymeraj. “Duhet theksuar se kjo organikë është caktuar që në vitin 1997, ku shumë nga detyrat e mësipërme nuk mund të parashikoheshin. Aktualisht, për të përballuar ngarkesat e mësipërme, të cilat janë të mëdha, ne i kemi dërguar një letër Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, ku i kemikërkuar shtesë organike prej 10 punonjësish policie të rolit bazë”,- vazhdon Ymeraj. Sipas tij, në këtë letër drejtuar ministrit, thuhet se kjo shtesë në organikë është plotësisht e justifikueshme, po të kihet parasysh edhe raporti i numrit të forcave të Policisë Bashkiake me numrin e popullsisë të qytetit të Fierit. Ky raport është nga më të lartët në shkallë vendi dhe shkon në një polic për 6000 banorë. Sipas ligjit të ri, Policia Bashkiake mund të vendosë gjoba për automjetet që shkelin rregullat e kodit rrugor. “Por deri tani ne nuk e kemi ushtruar këtë funksion”,- pohon Ymeraj. Krahas organikës, e cila ka mbetur si strukturë prej vitit 1997, Policia Bashkiake e Fierit ka kërkesa të domosdoshme më elementare, siç është rritja e pagës, e cila është më e ulët se bashkitë e tjera të mëdha, si: Vlora, Durrësi, Elbasani e të tjera, pajisja e policisë me uniforma, që prej vitesh nuk ka marrë një të tillë, si dhe mjete lëvizëse si autovetura të pajisura me sinjalistikë policie, dy motoçikleta, bilbila, pranga, radiopajisje mbrojtëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›