E Diel, 1 Nëntor 2026

Belgjika kërkon nga BE të heqë dorë nga plani për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për Ukrainën

Belgjika ka kritikuar Bashkimin Europian duke e akuzuar se po “minimizon” shqetësimet e saj në lidhje me planin për përdorimin e aseteve të ngrira ruse të mbajtura në Evropë, me qëllim mbështetjen financiare të Ukrainës. Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, deklaroi se Belgjika vazhdon të kërkojë një alternativë, duke propozuar që BE-ja të marrë hua në tregje për të siguruar fondet e nevojshme, në vend që të preken asetet ruse.

Shumica e vendeve anëtare e mbështesin planin, ndërsa disa prej tyre e kanë kritikuar Brukselin për bllokimin e procesit. Belgjika argumenton se përdorimi i këtyre aseteve mund të rrezikojë një marrëveshje paqeje në afat të shkurtër dhe mund ta ekspozojë BE-në, veçanërisht Belgjikën, ndaj veprimeve të mundshme ligjore nga Rusia.

Qeveria belge paralajmëron se, nëse Rusia padit BE-në, Belgjika do të përballej me ndikimin më të madh financiar.

“Po të na çojë Rusia në gjyq, ka çdo shans për të fituar. Belgjika nuk do të ishte në gjendje të shlyente 200 miliardë euro, ekuivalentin e buxhetit federal të një viti. Kjo do të thoshte falimentim për vendin”, tha ai.

Sipas propozimit të mbështetur nga kancelari gjerman Friedrich Merz, rreth 140 miliardë euro të aseteve shtetërore ruse të ngrira në Belgjikë do të shndërroheshin në një “kredi dëmshpërblimi” për të financuar Ukrainën që nga viti i ardhshëm.

Liderët e BE-së pritet të votojnë për propozimin e ri në një samit në Bruksel më vonë gjatë muajit, megjithatë mbetet e paqartë nëse do të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

/rtsh.al/    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›