E Diel, 1 Nëntor 2026

“Trajtim çnjerëzor dhe fajësi e paracaktuar”, avokati Cakrani: Nxirreni Metën nga kafazi i xhamit, ose bojkotojmë seancat

Mbrojtja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme (GJKKO) me një kërkesë urgjente për ndryshimin e kushteve të sigurisë në sallën e gjyqit. Përmes avokatit Kujtim Cakrani, Meta kërkon heqjen e menjëhershme të kafazit të hekurit apo kabinës së xhamit gjatë seancave, duke e cilësuar këtë masë si shkelje të rëndë të të drejtave kushtetuese dhe të dinjitetit njerëzor.

Kërkesa, e cila i drejtohet gjyqtares së seancës paraprake Irena Gjoka dhe drejtuesit të GJKKO-së, argumenton se izolimi i ish-Presidentit pas barrierave fizike gjatë procesit gjyqësor bie ndesh me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Në dokumentin e depozituar nga Studio Ligjore Cakrani, theksohet se “vendosja e Ilir Metës në një mjedis të izoluar vizualisht dhe fizikisht krijon një imazh stigmatizues para trupit gjykues, medias dhe publikut”.

“Ky trajtim krijon perceptimin e rrezikshmërisë dhe ‘fajësisë së paracaktuar’, duke e trajtuar atë si objekt sigurie dhe jo si subjekt të së drejtës,” citohet në kërkesë.

Avokati Cakrani nënvizoi gjithashtu se kabina e mbyllur cenon rëndë të drejtën për mbrojtje efektive. Sipas tij, barrierat pengojnë komunikimin e lirë, konfidencial dhe të menjëhershëm midis të pandehurit dhe avokatit të tij, duke e vendosur mbrojtjen në pozita inferiore.

Precedentët ndërkombëtarë

Kërkesa bazohet në nenin 3 të KEDNJ, i cili ndalon trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues. Avokati i referohet jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut, konkretisht çështjes Svinarenko & Slyadnev kundër Rusisë, ku vendosja e të pandehurve në kafaze metalike është konsideruar si trajtim poshtërues në vetvete.

Mbrojtja argumenton se “kjo praktikë shkel edhe nenin 30 të Kushtetutës së Shqipërisë për prezumimin e pafajësisë, pasi ekspozimi në kafaz krijon perceptimin vizual të fajit ende pa u dhënë një vendim i formës së prerë.”

Në përfundim të kërkesës, avokati Kujtim Cakrani ka paralajmëruar trupën gjykuese se mbrojtja nuk do të lejojë vazhdimin e procedurave nëse nuk merren masa.

“Deri sa të merren masat që kjo shkelje e dinjitetit njerëzor të hiqet, ne nuk do të zhvillojmë seanca gjyqësore,” thuhet në kërkesën zyrtare, duke kërkuar që Meta të ulet pranë avokatit të tij, pa barriera ndarëse, siç e kërkon standardi i një procesi të rregullt ligjor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›