Belgjika kthen në Maqedoni shqiptarët që kërkuan azil
Riatdhesohen 41 shqiptarë nga Lugina e Preshevës dhe Maqedonia, të cilët pas heqjes së vizave, kishin mbërritur në Belgjikë për të kërkuar strehim. Të riatdhesuarit thanë se kishin shpresuar të gjenin punë dhe të akomodoheshin në shtetin belg, por në fakt një gjë e tillë nuk ndodhi për këtë grup shqiptarësh.
Zëdhënësja e zyrës për të huaj, Dominik Ernould, tha se shqiptarët kishin dëgjuar se do të merrnin ndihmë financiare sapo të mbërrinin në Belgjikë. Kështu, autoritetet belge kanë paguar biletat e autobusit për 41 shqiptarët për t'u kthyer ne shtëpi, duke iu trembur faktit se përveç tyre, edhe shumë shqiptarë të tjerë nga Serbia, e Maqedonia, mund të dynden në Belgjikë për të kërkuar strehim, pas liberalizimit të vizave. Në orët e para të mëngjesit të së enjtes është kthyer autobusi i parë me azilkërkuesit e kthyer nga Belgjika. Ky kthim u realizua nga ministria e Emigracionit të Belgjikës, në përputhje me marrëveshjen për riatdhesim. Zëdhënësja e Ministrisë së Emigracionit, Dominik Ernu në Bruksel ka theksuar se bëhet fjalë për 21 shtetas të Maqedonisë dhe 19 të Serbisë, kryesisht nga Lugina e Preshevës, të cilët janë refuzuar për azil.
Sipas saj, personat e kthyer janë kryesisht familjarë dhe se ata shfrytëzuan liberalizimin e vizave për të hyrë në Belgjikë dhe vendet e tjera europiane. Azilkërkuesit e refuzuar janë shoqëruar edhe nga dy zyrtarë të Ministrisë belge të Emigracionit, në cilësinë e përcjellësve. Në Belgjikë supozohet të jenë rreth tre mijë shtetas të Maqedonisë dhe Serbisë, të cilët kanë kërkuar të drejtën e azilit, menjëherë pas heqjes së vizave më 19 dhjetor të vitit të kaluar. Kjo situatë e shpërthimit të azilkërkuesve pranë sporteleve të Ministrisë së Emigracionit shqetësoi autoritetet shtetërore, të cilët ditë më parë qëndruan në Shkup dhe Preshevë, për t'u njohur me gjendjen reale të qytetarëve të këtyre vendeve që vërshuan Belgjikën. Ky është kthimi i parë vullnetar i organizuar nga autoritetet belge. E ndërkohë që shqiptarët vendosnin çantat ne mjetin e udhëtimit për t'u kthyer në Preshevë, e në Kumanovë, një delegacion i lartë belg, i kryesuar nga kryeministri Yves Leterme, vizitoi rajonin në përpjekje për të ndalur këtë dyndje njerëzish që kërkojnë azil në belgjikë. Agjensia e lajmeve, "Belga", raporton se 401 maqedonas dhe 330 serbë, kanë aplikuar për azil politik në Belgjikë, në shkurt, një shifër shume e madhe krahasuar me 28 serbet dhe 12 maqedonas që kishin kërkuar të njëjtën gjë vitin e kaluar.