Belgjika mbijeton

Kryeministër i ri i Belgjikës do të jetë Elio Di Rupo, një socialist ky valon shenj mbrojtëse e të cilit është një kravatë madhe në formë fluture. Njëkohësisht, ai është politikani i parë frankofon qo do të udhëheq qeverinë belge që nga viti 1974. Teksti i kompromisit, rreth të cilit u pajtuan të tri partitë është shkruar në 185 faqe, dhe ai do të rishikohet detajisht, ndërkohë që gjatë kësaj fundjave të gjitha partitë do të duhej të pajtoheshin me koalicionin e formuar. Të hënën, ndërkaq, qeveria e re belge do të mund të jap betimin.
Mospajtimet ndërmjet valonëve frankofonë dhe flamanëve, që gjuhë të veten e kanë holandishten, filluan menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor, të vitit 2010. Që prej atëherë erdhi deri te bllokimi i reformave shtetërore, të cilat do të duhej të rregullonin statusin e komunave flamave në rrethinën e kryeqytetit të vendit, Bruselit, në të cilin jeton një përqindje e madhe e banorëve frankofonë belgë. Pas kësaj, partitë nuk mundën të merreshin vesh as rreth buxhetit prej afro 11.3 miliardë eurosh, për vitin 2012. Vetëm pasi që agjencia për përpilimin e rejtingut Standard&Poor’s uli bonitetin e Belgjikës nga “AA+” në “AA” partitë arritën një kompromis rreth buxhetit.
Shefi i nacionalistëve flamanë, Bart De Wever, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i partisë NV-A, do të jetë opozita më e ashpër e qeverisë së re, sepse ai dhe partia që e drejton haptas angazhohen për fundin e shtetit federal të Belgjikës. Nga ana tjetër, detyrën e tij të re Di Rupo e fillon me arka pothuajse të zbrazëta shtetërore dhe me kamata gjithnjë e më të larta në bono të shtetit.
Por, kush është Elio Di Rupo?
Kryeministri i fundit frankofon ishte Edmund Leburton, mandati i dytë i të cilit përfundoi në vitin 1974. Si një kryeministër vërtet bilingual konsiderohej Paul Vanden Boeynants, i cili ishte kryeministër belg deri në vitin 1979. Që nga ajo kohë e deri më sot kryeministra të vendit ishin vetëm flamanët.
Flamanët kanë një problem me kryeministrin e ri, 60-vjeçarin Di Rupo, sepse ky jo vetëm që e flet fare pak gjuhën flamave, por edhe për shkak se përderisa për dy mandate ishte kryeministër i Valonisë, Di Rupo ishte një simbol i afarizmit dhe menaxhimit të keq në atë njësi federale të vendit. Nga ana tjetër, Di Rupo arriti diçka që nuk arriti askush para tij – pas 525 ditëve pa qeveri ai arriti një marrëveshje për formimin e qeverisë së re të vendit. Si djalë i një migronit italian, karriera e tij është tejet e pazakontë. Elio Di Rupo ishte vetëm njëvjeçar kur i vdiq babai, që punonte në një minierë. Elio i vogël, bashkë me gjatë vëllezërit dhe motrat e tij, u rrit në varfëri të madhe. Falë bursave, Elio kreu studimet, e pastaj edhe doktoroi. Shumë shpejt pas kësaj u gjend në krye të lëvizjes socialiste në universitet.
"Kjo ishte një ëndërr amerikane, por në mënyrë belge”, deklaroi kohë më parë politikani liberal flaman, Vincent Van Quickenborne, për gazetën belge ‘Le Soir’.
Pasi iu fut politikës, Di Rupo mbajti disa poste, në mesin e të cilave edhe atë të zëvendëskryeministrit e pastaj edhe të kryeministrit të Valonisë, ndërkohë që nga vitit 2001 ishte kryebashkiak i qytetit Mons dhe për 12 vjet rresht edhe kryetar i Partisë Socialiste të Valonisë. Në vitin 1996 karriera e tij politike pothuajse ishte para përfundimit, kur, si një homoseksual të deklaruar, një adoleshentë e akuzoi për keqtrajtim seksual. Mirëpo, Di Rupo arriti të dëshmojë se akuzat ndaj tij ishin të pabaza.
Fakti që Di Rupo rrjedhë nga një familje e varfër punëtore e trasoi rrugën e këtij politikani, që e do edhe artin.
"Theksin tonë ne e vëmë tek të dobëtit e shoqërisë, tek njerëzit që kanë të ardhura të ulëta, tek punëtorët dhe tek të papunët”, shkruan Di Rupo në programin e partisë së tij.
Ndërmarrjeve që ndodhen në krizë iu ndihmon me para të shtetit, përderisa nuk iu kushton shumë rëndësi masave të kursimit, megjithëse përqindja e borxhit të Belgjikës ka kapur gati 100-përqindëshin e GDP’së.
Sigurisht, qeveria e re s’do ta ketë fare lehtë, por, të paktën tash për tash, kriza politike në shtetin në të cilin ndodhen institucionet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian duket se përfundoi. (DW)