E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një libër mbi përdhunimet

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, të enjten, u përurua libri “Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999” i autores Naxhije Doçi.

Çdo krijues i cili ulet e shkruan një libër për të vërtetat e Kosovës, ai vendos një gur të çmuar për ndriçimin e kujtesës për brezat e tashëm dhe brezat që vijnë për të dëshmuar vetëm të vërtetën, u tha me rastin e promovimit të librit të veprimtares Naxhije Doçi me titull ”Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”.

Libri sjell fakte dhe dëshmi të gjallë të grave të përdhunuara shqiptare gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se libri është një fakt i gjallë lidhur me dhunën dhe terrorin që ka ushtruar regjimi serb në Kosovë.

“Po ashtu, dua të shtoj me një guxim të plotë qytetar dhe njerëzor, të gjitha viktimat dhe ato të përfshira në dhunimet të jenë dëshmitare të asaj historie dhe mbi të gjitha dëshmitare të një okupimi të plotë që në të ardhmen do të bëja ndaj shtetit dhe gjenocidit që e ka bërë Serbia në Kosovë, në këtë drejtim mundimi i tyre do të pasqyrohet drejtë dhe Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë do të jetë gjithmonë e përkushtuar që ato t`i ndihmojë dhe t`i pasqyrojë për ne dhe botën demokratike”, tha Kuçi.

Redaktori i librit, Sali Bashota, tha se në këtë libër autorja paraqet të vërtetën për Kosovën dhe se libra të tillë duhet të botohen edhe në gjuhë të huaja.

“Çdo krijues, i cili ulet e shkruan një libër për të vërtetat e Kosovës, ai vendos një gur të çmuar për ndriçimin e kujtesës sonë, për brezat që vijnë për brezat e tashëm për të dëshmuar vetëm të vërtetën dhe nga e vërteta regjimi i Serbisë është verbuar dhe sot nuk e sheh të vërtetën, prandaj librat e tillë duhet të shkruhen në gjuhën shqipe, duhet të botohen në gjuhën angleze dhe në gjuhët e mëdha të botës”, tha Bashota.

Autorja e librit, Naxhije Doçi, pasi falënderoi të gjithë kontribuuesit në botimin e librit, përmendi disa nga vështirësitë të cilat i ka përjetuar gjatë mbledhjes së fakteve.

“Vështirësitë që kam hasur duke mbledhur material nga terreni janë të shumta dhe të natyrës së ndryshme, informatorët për arsye të ndryshme të dhembshme shpeshherë edhe hezitonin t`i jepnin të dhënat, sidomos kur ishte fjala për plagën e ndejshme të dhunimit”, tha Doçi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›