E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belgjika ndalon shamitë në shkolla

Pas Francës dhe Gjermanisë edhe Belgjika përballet me një debat të fortë për mbajtjen e perçeve myslimane në shkolla. Në të gjitha shkollat publike në zonën flaminge, pjesa më e madhe e të cilave katolike, bordi drejtues ka vendosur të ndalojë përdorimin e shamive, pavarësisht protestave që shpërthyen pak javë më parë mbi këtë vendim, i cili prek 700 shkolla në këtë zonë. Mbështetësit e tij thonë se të gjithë nxënësit duhet të jenë të barabartë në ambientet shkollore.
“Në momentin që ushtrohet presion mbi një komunitet minoritar atëherë kjo do të thotë se ka një problem. Çdokush duhet të ndihet mirë në këtë shkollë, ky minoritet u bë një problem për ne.”
Vendimi detyroi një vajzë të dërgonte ankesë në Këshillin e shtetit, në një kohë që ndaj drejtorit të një shkolle në Hoboken janë dërguar kërcënime me vdekje. Titujt e parë të gazetave vendase në Belgjikë janë hapur me parullat e protestuesve “Na pranoni siç jemi” apo “Pa shami s’ka nxënës”. Fjala e fundit lidhur me këtë çështje i takon gjykatës, e cila javës që vjen do të vendosë nëse vendimi për heqjen e shamive do t’i takojë drejtorisë së shkollës apo bordit drejtues të të gjitha shkollave. Muslimanët janë komuniteti më i madh në Belgjikë. Ata përbëjnë 6 % të popullsisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›