E Shtunë, 31 Tetor 2026

A/H1N1 mbyll 1400 shkolla në Meksikë

Autoritetet meksikane kanë urdhëruar mbylljen e 1400 shkollave, pas dyshimeve për rritje të numrit të personave të infektuar me virusin AH1N1. Sipas të dhënave, në Kuliakan, 19 studentë i janë nënshtruar analizave pasi kanë shfaqur simptomat e gripit te derrave. Sekretari për arsimin, Florentino Kastri, tha se në 80 shkolla janë evidentuar 50 studentë me probleme në frymëmarrje. Lidhur me këtë vendim ka reaguar OBSH, e cila tha se mbyllja e shkollave është vetëm një ndër masat që do të merren për parandalimimin e përhapjes së virusit A H1N1. Organizata u bëri thirrje qeverive të marrin në konsideratë edhe kostot ekonomike dhe sociale që vijnë si pasojë e bllokimit të sistemit arsimor. Të dhënat tregojnë se deri tani AH1N1 ka shkaktuar vdekjen e 3205 personave. Në Europë numri është 125. Që nga shpallja e pandemisë në muajin qershor, numri total i rasteve të konfirmuara arrin në 277.607. Organizata konstatoi se virusi po vazhdon të përhapet me shpejtësi. Por ende nuk ka shenja që ai të jetë modifikuar apo të jetë bërë më i rrezikshëm. OBSH po kështu ka vendosur të mos bëjë asnjë ndryshim lidhur guidat për përdorimin e ilaçeve kundër gripit, pavarësisht se në disa raste të infektimit është vënë re që virusi ka qenë rezistent ndaj Tamiflu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›