PDK: Mazhoranca të reflektojë mbi kritikat e BE-së
>Kritikave ndaj qeverisë për ligjin e lustracionit, i shtohet së fundi edhe Partia Demokristiane. Pas përplasjeve që kjo forcë politike pati para disa muajsh me mazhorancën në pushtet për kodin zgjedhor, vjen edhe kjo kritikë e fortë drejtuar ish-aleatëve politikë. Duke përshëndetur miratimin sot në Kuvend të rezolutës për aplikimin e Shqipërisë si vend Kandidat për anëtarësim në BE, ata ngrenë shqetësimin për mënyrën me të cilën Partia Demokratike vepron në raport me këta të fundit. .
Aplikimi i Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sipas tyre, është një arritje tjetër e Shqipërisë në përpjekjet e saj për integrim të plotë në BE dhe në NATO. Në një kohë kur i gjithë faktori politik shqiptar, duhej të ishte angazhuar për përshpejtimin e procesit të integrimit, duke shprehur kështu aspiratën më të thellë të qytetarëve shqiptarë, PDK shpreh shqetësimin e saj për konfliktet e panevojshme dhe krizën e besimit që është krijuar midis institucioneve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe mazhorancës qeverisëse të kryeministrit Sali Berisha. Shkarkimi në mënyrë klandestine dhe me metoda makiaveliste i kryetarit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Aleksandër Biberaj, si dhe mosbindja ndaj deklaratave, këshillave dhe sugjerimeve të institucioneve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian për ligjin e lustracionit, thuhet në deklaratën për shtyp, ka krijuar një krizë të thellë besimi midis Shqipërisë dhe institucioneve evropiane e cila po krijon një kosto të panevojshme për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ata e shohin si tejet të rëndësishme aspiratën e Shqipërisë për shpallur kandidaturën e saj për anëtarësim në BE. Por sipas tyre për të arritur këtë, duhen bërë reforma të thella, në përputhje me standardet evropiane, duke respektuar dhe plotësuar kushtet që mundësojnë anëtarësimin e plotë të vendit në BE. Gjithashtu, kërkohet që miratimi i ligjeve të jenë të pranuara nga institucionet përkatëse ndërkombëtare. Shqetësimi i PDK e ka thelbin mënyra se si u miratua ky ligj. Për fat të keq, Ligji i Lustracionit, i miratuar me dhunën e kartonëve të maxhorancës dhe pa konsensus të gjerë politik, është kritikuar gjerësisht nga faktori ndërkombëtar si një ligj që nuk përmbush asnjë standard, evidenton PDK. Prandaj zbatimi i tij në praktikë ka të bëjë më shumë me frikën e eliminimit të kundërshtarëve politikë të qeverisë dhe të një kthimin nga e shkuara e errët diktatoriale. Për këtë, Partia Demokristiane, i kërkon maxhorancës së djathtë qeverisëse të lexojë me vëmendje dhe të reflektojë me gjakftohtësi ndaj deklaratave dhe kritikave të ardhura nga partnerët ndërkombëtarë