Belind Këlliçi: Tirana si 250 qytete të botës, me transport publik falas!

Kandidati i opozitës për kreun e Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi, vazhdon të këmbënguli në realizimin e idesë së tij për transportin publik falas, në rast se zgjidhet në krye të saj më 14 maj.
Zoti Këlliçi zhvilloi një takim me një komunitet qytetarësh nga Lushnja, të cilët prej vitesh jetojnë e punojnë në kryeqytet.
Zoti Këlliçi shpalosi disa nga pikat e programit të tij, për ta bërë Tiranën një qytet të jetueshëm për të gjithë banorët e saj dhe veçmas u ndal te angazhimi për transport publik falas. “Unë do ta bëj realitet pas 14 majit, për të vetmen arsye sepse besoj fort dhe jam i bindur se ky qytet nuk është i varfër por është i vjedhur. Kjo çështje është vetëm çështje e vullnetit politik dhe jo financash. Buxheti i bashkisë së Tiranës sot është 240 milionë euro. Për të mundësuar autobusin falas për për 200 mijë qytetarë të Tiranës në ditë, mjaftojnë 16.5 milionë euro në vit. Vetëm 6.8% e buxhetit” tha zoti Këlliçi.
Duke ju përgjigjur skepikëve ai tha se kjo është një praktikë që ndiqet në 250 qytete të botës. “Është një praktikë që ndiqet në Tallin, në kryeqytetin e Estonisë, ndiqet në Maltë, në Luxemburg, në qytete në Greqi, në qytete në Itali, në 40 qytete në Amerikë, në qytete të ndryshme në Kanda, në vende të tjera të Europës, në Francë, që po e testojnë dhe në fakt i ka rezultuar, edhe në Belgjikë, i ka rezultuar shumë efiçente dhe e nevojshme si masë” tha kandidati i opozitës për kreun e Bashkisë së Tiranës.
Zoti Këlliçi u shpreh se angazhimi i tij është ta rikthejë në normalitet kryeqytetin me premtime të realizueshme, dhe jo si ato të kundërshtarit të tij Erion Veliaj.
“Unë jam i vendosur për ta kthyer qytetin në kushtet e normaliteti, në binarët e një normaliteti, ku nuk ka nevojë të shpikësh rrotën të japësh premtime që janë të parelizueshme. Të rrish në televizor gjithë ditën herë me përparëse duke shpërndarë pjata supe, e herë me lopatë duke mbjellë 1 milionë pemë. Ju si lushnjarë jeni në krye të komuniteteve nga koefiçenti i zgjuarsisë, e kuptoni fare mirë që nuk ka 1 milion pemë të mbjellura në Tiranë, se në Berlin ka 420 mijë dhe në Milano ka 500 mijë” tha zoti Belind Këlliçi.
Ai e akuzoi kreun aktual Erion Veliajn se e ka kthyer bashkinë në institucion që nuk i shërben qytetarit. “Bashki që vetëm për qytetarin nuk punon. Sot në Tiranë kemi një qytet të tërë, që paguan taksa në mënyrë të rregullt dhe ju jeni një nga komunitetet më të disiplinuara, për një kryetar bashkie që rri gjithë ditën në televizor, që hiqet si gjitholog. … Unë jam i bindur se Tirana e ka mundësinë për të ofruar më shumë shanse, oportunitete, mundësi punësimi, dhe një të ardhme shumë të mirë për të gjithë qytetarët e saj dhe mbi të gjitha për të rinjtë” tha Belind Këlliçi.
/ rtsh.al /