Tritoli ndaj Ndrecës/ Berisha: Rama me heshtje tregon se qëndron pas aktit terrorist. Balla: Kallëzimi i rremë, dënohet

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka reaguar pas akuzave të opozitës për ngjarjen në Vaun e Dejës, ku kreut të PD-së së Rithemelimit Benard Ndrecës iu vendos tritol në makinë. Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Balla ka paralajmëruar ish-kryeministrin Sali Berisha, se nëse ka prova dhe emra konkretë për autorët t’i çojë në Prokurori, në të kundërt do dënohet për kallëzime të rreme.
Reagimi i Ballës, erdhi pas deklaratave të Berishës, se me heshtjen e tij kryeministri Rama faktoi se qëndron pas aktit terrorist ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës.
Balla paralajmëroi Berishën se, nëse nuk posedon fakte mbi deklaratat e tij, do duhet të mbajë përgjegjësi.
“E ka bërë pis dhe vazhdon ta bëjë pis më shumë prej 19 majit 2021 kur SHBA e shpallën “non grata”. Sa herë ndodh një ngjarje, i pari që del të bëjë denoncuesin, prokurorin, gjyqtarin, policin është Sali Berisha.
E ka bërë këtë në të gjitha rastet, edhe në 12 shtator 1998. Sapo kishte ndodhur një ngjarje e rëndë, ngriti akuzën dhe fajësonte kryeministrin e asokohe Fatos Nanon dhe faktet treguan që ishte komplet histori tjetër ku ky vetë qiti mikun e tij në pritë.
Nuk dua ti hy dhe përgëzoj Ministrin e Brendshëm që nuk u përfshi në një përgjigje, sepse mendoj që përgjigjen duhet ta japin institucionet”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar socialist u shpreh se ngjarja në Vaun e Dejës duhet hetuar dhe zbardhur.
“Ka ndodhur një ngjarje në Vaun e Dejës, ajo duhet hetuar, zbardhur. E sfidon Berishën, ka një nen në kodin penal, moskallëzimi i krimit dënohet. Zotëria tha se ka emra, ti çojë në prokurori, por mos harroni se kallëzimi i rremë dënohet.
Shkoni dhe bëni kallëzime, nëse keni prova. Ose mbyllni gojën dhe prisni se mund të ketë gjëra që nuk i dini”, përfundoi Balla.
Ish-kryeministri Berisha, deklaroi se nuk ka diskutim se në çdo histori të botës, prapa çdo atentati politik, qëndron politika. Ai theksoi se, asnjë kryeministër nuk do rrinte pa dënuar fuqishëm aktin terrorist, përveç atij që e ka porositur.
/rtsh.al/