Bello: Gramozi sduhet të falë në fushën e tij
Portieri korçar pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen me Besën, ku kolonjarët do të kërkojnë të marrin 3-pikëshin e parë të 2012-ës
Lajme të mira vijnë për trajnerin Ilir Qirjako nga mjeku i ekipit. Sipas tij, portieri korçar Bello, i cili do të mbrojë portën e Gramozit fazën e dytë, pas 10 ditësh mungesë, është gati të stërvitet me grupin dhe të luajë në ndeshjen me Besën. Më në fund, ndihem mirë. Jam gati të luaj që në ndeshjen e parë, por aktivizimi im është në dorë të stafit mjekësor dhe të trajnerëve.
Do të shikojmë gjatë këtyre ditëve si do të shkojë stërvitja dhe pastaj do të vendosim, nëse do të jem në fushë apo jo ndaj Besës, ka pohuar Bello, duke bërë të ditur se sot do të stërvitet me grupin. Korçari ka mendimin se Gramozi ka një ekip të fortë dhe të paktën në fushën e tij nuk do të falë. Me përgatitjet që po bëjmë dhe me afrimin e lojtarëve cilësorë, them se do ta arrijmë objektivin për të qenë pranë kreut të renditjes.
Gramozi ka ndryshuar dhe, duke parë edhe kalendarin, që na favorizon 4 javët e ardhshme me 3 ndeshje në fushën tonë, them se do të largohemi nga pozicioni aktual. Nëse marrim pike të plota në shtëpi, patjetër që do të ngjitemi më lart.
Të gjithë kemi besim se do ta nisim mbarë fazën e dytë, edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë me Besën, një kundërshtar me shumë përvojë dhe që ka bërë merkato cilësore. Faktori fushë na bën entuziastë për një start me fitore, që do të thotë shumë për ecurinë tone të mëtejshme,- ka përfunduar portieri Bello.
Baza materiale Nisur nga koha tepër e ftohtë dhe reshjet e shumta të dëborës, drejtuesit e klubit kolonjar kanë furnizuar dje me bazë materiale të gjithë futbollistët, të cilët do të përfaqësojnë Gramozin për fazën e dytë. Nëse në kohën kur zhvillohet stërvitja do të ketë reshhje bore apo shiu, futbollistët do të jenë të detyruar të vrapojnë me xhupa.
