Rënxa: Kukësi, i pandalshëm edhe fazën e dytë
Mbrojtësi Endri Rënxa është optimist për ngjitjen në vendin e parë, duke gjykuar nga merkatoja dimërore
Kukësi po i vazhdon përgatitjet në kryeqytet, ku çdo ditë nuk mungojnë edhe futbollistët vendas. Trajneri Shahin Berberi ka punuar me ritëm të lartë deri tani, duke zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore, e fundit me Dinamon ditën e shtunë. Ai ka qenë përgjithësisht i kënaqur nga ekipi, pavarësisht rezultateve. Kuksianët fillojnë sot javën anti-Butrint dhe stafi teknik do të qartësojë gjithçka sa i takon formacionit titullar për ndeshjen e parë të fazës së dytë.
Rënxa Mbrojtësi Endri Rënxa mendon se ekipi është i kompletuar dhe i përgatitur për të synuar vendin e parë. Ish-lojtari i Dinamos, Pogradecit, Lushnjës, Kamzës dhe Mamurrasit, është i bindur se Kukësi nuk do të njohë kundërshtarë. Për Sportin shqiptarai komenton merkaton e dimrit dhe punën që është bërë gjatë kësaj periudhe: Po stërvitemi në Tiranë, pas një faze përgatitore të zhvilluar në Mal të Zi.
Nën drejtimin e trajnerit Shahin Berberi, kemi punuar fort çdo ditë dhe kemi zhvilluar edhe disa miqësore, ku kemi parë gjendjen tonë reale. Ekipi ka luajtur mirë dhe na jep shumë besim për fazën e dytë. Kukësi e ka ruajtur grupin dhe kjo është një gjë e mirë, ndërkohë që edhe përforcimet më duken të goditura. Në mënyrë shumë profesionale stafi drejtues ka përforcuar repartet, ku ekipi ka pasur më shumë nevojë dhe cilësia është rritur ndjeshëm.
Mezi presim të nisë faza e dytë dhe të fitojmë para tifozëve tanë në ndeshjen me Butrintin. Me përgatitjet e bëra dhe korrektesën e presidencës dhe donatorëve, Kukësi i fazës së dytë do të jetë i pandalshëm. Pretendojmë jo vetëm ngjitjen direkt në superligë, por edhe titullin kampion. Nuk na tremb rivaliteti i madh, që ka këtë sezon kampionati i kategorisë së parë.Thjesht besojmë te forcat tona dhe të gjithe mendojmë se në fund të sezonit Kukësi do të festojë për suksesin historik, ka thënë mbrojtësi i kuksianëve, Rënxa.
Butrinti Kuksianët ka mundësi që të grumbullohen në Kukës këtë javë për tu përgatitjet për ndeshjen me Butrintin, por plani mund të ndryshojë për shkak të motit të keq. Qyteti verior është mbuluar nga bora, ndërkohë që stafi teknik kërkon që ekipi të stërvitet në kushte sa më të përshtatshtme.
