E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, që sot mendjen te Mamurrasi

Nga Julian Kasapi

Lushnja e nis fazën e dytë në një transfertë të vështirë, siç është ajo e Mamurrasit. Megjithatë, besimi për një start me fitore është në shkallën më të lartë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Sajmir Malko ka në përbërje të saj futbollistë me shumë përvojë, të cilët mendohet se do ti zgjidhin shumë nga sfidat e fazës së dytë, vendimtare për kalimin në superligë.

Futbollistë si Byzhyti, Xhafa, Çela, Hasalla, Sefa apo ndonjë tjetër, me eksperiencë edhe në superligë, pa dyshim që do të jenë në udhëheqje të grupit. Problemi i vetëm për trajnerin lushnjar është porta, sepse aktualisht janë të dëmtuar tre portierë. Lushnja ka një portier me shumë vlera, Ibrahim Bejten, por ai ka dëmtuar hundën dhe nuk mund të zbresë në fushë pa një maskë mbrojtëse.

Ndoshta kjo çështje mund të marrë zgjidhje këtë javë, por kuptohet që është e vështirë për të gjetur një maskë të tillë. Verdhejeshilët do të nisin sot programin stërvitor në kuadër të transfertës së Mamurarsit, që konsiderohet mjaft e rëndësishme në këtë moment, qoftë për 3 pikët, qoftë për aspektin moral. Gjithsesi, trajneri Malko ka treguar se është shumë i aftë ta motivojë grupin e futbollistëve për të marrë rezultatin e dëshiruar. Ai ka në dispozicion edhe 5 ditë për ta përgatitur skuadrën.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›