E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nino: Një fitore në Vlorë, vlera të dyfishta për Luftëtarin

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Mbrojtësi kryeqytetas, Jetmir Nino, thekson se ekipi gjirokastrit e ka forcën dhe përvojën e duhur për ta nisur me 3 pikë fazën e dytë

Për fazën e dytë të kampionatit të 65të Luftëtari afroi tre futbollistë, vlonjatin Strati dhe tiranasit Hithi dhe Nino, të cilët do ti shërbejnë në fushatën për kthim në superligë, gjë që pritet të realizohet pas 5 sezonesh. Jetmir Nino ka lindur në Tiranë, më 21.05.1986 dhe mësimet e para i ka marrë në shkollën e Partizanit.

Duke filluar nga sezoni 2005 ka luajtur 3 sezone me Laçin, më pas u aktivizua 1 sezon me Saarbruken të kategorisë së 4-t në Gjermani, u kthye përsëri te Laç 1 sezon dhe po aq qëndroi te Teuta. Fazën e parë të këtij sezoni luajti me Tomorin dhe tani do të veshë fanellën e Luftëtarit.

Nino Mbrojtësi kryeqytetas është 100% i bindur se ekipi gjirokastrit do të jetë në superligë sezonin e ardhshëm dhe për këtë thotë: Erdha me kënaqësi te Luftëtari, që, pavarësisht se luan në kategorinë e parë, ka më shume tradita se disa ekipe të superligës, madje aktualisht është më i fortë se ndonjë prej tyre. Edhe unë them se i takon të jetë në superligë dhe për këtë jam 100% i bindur se do të rikthehet këtë sezon.

Kjo nuk do të bëhet vetvetiu apo me ndonjë magji, por do të bëhet me punë dhe sakrifica nga të gjithë ne që jemi pjesë e tij. Fazën e parë Luftëtari e mbylli si kryesues, edhe pse ka një ndeshjë të prapambetur. Pra, bazat e suksesit janë hedhur mirë dhe them se gjërat do të shkojnë mbarë, sepse në vazhdim do të kemi edhe rritje në lojë, falë përgatitjeve që kanë nisur që në fillim të janarit.

Moti i keq i fundjavës na ka penguar disi, por Luftëtari e ka përvojën dhe forcën për ta fituar ndeshjen me Vlorën në fushën e saj. Besoj se nuk do ta diskutojmë fitoren, që do të jetë inkurajuese për ndeshjet në vazhdim, përveç 3-pikëshit që do të na mbajë në krye të vetëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›