E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello: LMN kundër protestave në shtator, në PS mbizotëron fryma e përjashtimit

Lëvizja për Mendim Ndryshe kundërshton zërat brenda Partisë Socialiste që flasin për rinisje të protestave gjatë muajit shtator. Deputeti i LMN-së, Marko Bello u shpreh se një vendim i tillë dobëson gjithnjë e më shumë rolin dhe ndikimin e PS-së në klasën politike shqiptare. Bello vuri në dukje se ai dhe kolegë të tij të LMN-së s’do pranojë për asnjë shkak t’i nënshtrohen diktatit të Ramës. “Nuk është marrë një vendim i tillë. është diskutuar dhe nuk është vendosur. është lënë për më vonë për të marrë një vendim. Unë kam qenë kundër këtij vendimi dhe nuk ka qenë i vetëm, por kam pasur mbështetjen e mjaft deputetëve të tjetër, jo vetëm të mendimit ndryshe”- u shpreh deputeti Bello. Ai vuri në dukje se pavarësisht divergjencave, LMN është pjesë e PS-së, por nuk pajtohet kurrsesi me mënyrën e drejtimit të Partisë nga Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. “Zoti Rama ka një mënyrë tjetër të drejtimit të partisë, ndryshe nga ajo që ishim mësuar ne, ku fryma në ekip kishte më shumë rëndësi. Aktualisht, në PS mbizotëron fryma e shtypjes dhe ndrydhja e mendimit ndryshe”- deklaroi më tej, deputeti Bello.
Lëvizja për Mendim Ndryshe është një fraksion i hershëm brenda radhëve të Partisë Socialiste, në përbërje të së cilës janë 5 deputetë.
Duke konsideruar si mision parësor zhvillimin e alternativave politike, shtrirjen e debatit konstruktiv dhe mbizotërimin e frymës demokratike, LMN ka nisur një aksion kundër Edi Ramës dhe fizionomisë së tij të drejtimit të PS-së, e cila sipas deputetëve “rebelë” është e dështuar dhe se kryetari aktual duhet të kishte dhënë dorëheqjen që një vit më parë, menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›