Lëvizja Socialiste për Integrim, tjetër apel politikës për reformën zgjedhore

Në një kohë kur klasa politike duket se po kalon e qetë ditët e nxehta të gushtit, muaji shtator pritet të jetë muaji i intensitetit të zhvillimeve. Reforma zgjedhore dhe një seri çështjesh të tjera, të cilat janë në krye të agjendës së komisioneve parlamentare, përbëjnë dhe pikën voluminoze të veprimtarisë politike. Nisur nga ky fakt, Lëvizja Socialiste për Integrim, vlerëson se forcat politike nuk duhet të humbasin kohë, por të fillojnë menjëherë angazhimet konkrete për nisjen nga puna të hartimit të reformës së re zgjedhore. Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se të gjitha partitë duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve për të reflektuar lidhur me reformën zgjedhore. “Duke parë zhvillimet politike dhe rolin e veçantë që kanë zgjedhjet dhe standardet e tyre, LSI ngre dhe njëherë sot me të njëjtin shqetësim çështjen e reformës zgjedhore. Sot e gjithë politika ka konsumuar me qindra deklarata, ka shpërthyer me një patos të jashtëzakonshëm për nevojën e standardeve gjithmonë e më të mira zgjedhore, por ai që është momenti kritik që demonstron vullnetet e mira e që ka të bëjë me arritjen e këtyre standardeve dhe që është reforma zgjedhore, këtij impenjimi konstatojmë që po i shmangen në mënyra të ndryshme. Ne jemi këtu për të bërë apel edhe një herë dhe për të vazhduar të vihemi në dispozicion në vend të parë për atë që ka qenë gjithmonë si kredo e LSI-së për mbajtjen e zgjedhjeve të gjithmonë e më të mira dhe me standarde më të larta, për të filluar sa më parë reformën zgjedhore” - u shpreh Vasili.
Sipas tij, sezoni i ri politik, i cili starton në shtator, duhet të ketë si kryefjalë të tij nisjen e punës intensive për një reformë zgjedhore sa më të mirë duke nisur punën me sugjerimet që kanë ardhur nga ndërkombëtarët OSBE-ODIHR-i dhe faktorë të tjerë që sigurojnë parametrat të tjerë të zgjedhjeve në Shqipëri. “Parametra të një Shqipërie, që duke qenë tashmë një vend evropian dhe ku qytetarët do të lëvizin lirshëm në Evropë, sigurisht që duhet të ketë dhe zgjedhjet që meriton. Ndaj konkludojmë se koha deri tani është humbur dhe shpërdorur dhe nuk ka më asnjë minutë kohë për të humbur. Të gjitha partitë duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve të thella dhe reflektimeve dhe çdo shmangieje nga kjo, apo klithmë demagogjike për përmirësim zgjedhjesh pa përmirësuar ligjin zgjedhor dhe pa reflektuar rekomandimet e ndërkombëtarëve dhe çdo gjë që nuk ka shkuar mirë në zgjedhje besojmë se këto mbeten vetëm klithma demagogjike, që nuk kanë të bëjmë me thelbin apo me shqetësimin për të pasur zgjedhje më të mira në Shqipëri”- deklaroi më tej zyrtari i LSI-së.
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëherazi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, vërejti edhe pikat mbi të cilat duhen bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Sipas tij, i rëndësishëm është vullneti i dy forcave më të mëdha politike dhe se LSI ka gati propozimet e saj, të cilat do t’i bëjë të ditura në tryezën e bisedimeve.
“LSI e ka shumë të qartë se cilat do të ishin përmirësimet e ndryshme që mund t’i bëhen kodit zgjedhor, të cilat nuk lëvizin thelbin e tij ka të gjithë grupin e ekspertëve të domosdoshëm për ta bërë këtë gjë për ta ofruar këtë në tryezën e bisedimeve, por edhe një herë theksoj se duhet vullneti politik për ta shikuar drejt në sy dhe seriozisht këtë problem i cili nuk duhet shtyrë asnjë sekondë më shumë”- deklaroi nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili. Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, forcat politike pritet të angazhohen konkretisht për fillimin nga puna për hartimin e reformës zgjedhore. Mazhoranca ka konfirmuar qëndrimin e saj për të nisur sa më parë tryezën e partive politike, ndërsa s’ka asnjë qëndrim nga pala opozitare, megjithë zërat nën hije se kryesocialisti Rama herët a vonë, do i drejtohet konsensusit mazhorancë - opozitë, për nisjen nga puna të reformës elektorale.