E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: Meta të reflektojë dhe mos i shtyjnë mosmarrëveshjet drejt një situate pa kthim

Deputeti socialist Marko Bello tha dje, se Meta apo edhe parti të tjera të majta nuk mund të dëmtojnë PS, siç ndodhi në zgjedhjet e vitit 2005, pasi, sipas tij, elektorati ka krijar besim te lidershipi i PS, në mënyrë të veçantë te kryetari i saj. Deputeti socialist foli dje në një interviste për gazetën, për marrëdhëniet e krijuara me LSI e partitë e tjera aleate të PS pas ndryshimeve në Kushtetutë, të cilat u kundërshtuan nga këto parti. Sipas Bellos, reagimi i partive të vogla dhe kundërshtitë e tyre ndaj ndryshimeve në Kushtetutë nuk kanë bazë reale, megjithëse thekson, se është e drejtë e tyre të reagojnë. Bello shprehet se krijimi i polit të tretë të politikës nga partitë që i përkasin koalicionit të majtë, nuk do të dëmtojnë fitoren e PS, por për më tepër thekson ai, krerët e këtyre partive duhet të kuptojnë se do të dëmtohen vetë ata dhe partitë e tyre, pasi Bello thekson se sipas sinjaleve elektorati i tyre dëshiron bashkëpunimin me PS. Bello u shpreh dje se nuk ka një marrëveshje Nano-Berisha, por ka vetëm një bashkëpunim PS-PD për reformat më të rëndësishme, për të cilat ka nevojë Shqipëria për t’u integruar në BE dhe NATO.

Pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve në Kushtetutë, duket se situata politike është acaruar dhe në mënyrë të veçantë duken të acaruara marrëdhëniet ndërmjet partive të koalicionit të majtë. Komenti juaj?

Është e vërtetë se ndryshimet në Kushtetutë u shoqëruan me debate dhe pakënaqësi nga ana e partive të vogla, të majta apo të djathta. Sigurisht, më problematike u shfaqën disa parti të spektrit të majtë, të cilat duket se janë nxituar...Unë mendoj se në raste të tilla duhet gjakftohtësi, arsye dhe dialog. Është fatkeqësi që liderë të disa partive të majta vënë emocionin përpara arsyes. Aq më tepër që gjërat që na bashkojnë janë më të rëndësishme se ato që na ndajnë. Më shkoqur, fitorja në zgjedhjet e vitit të ardhshëm është më e rëndësishme sesa dilema se cili do të jetë kryeministër i së majtës. Pesha e secilës parti do të përcaktojë shumë gjëra dhe nga bashkimi do të fitojnë të gjithë...

Ju thoni se pretendimet e tyre s’janë të drejta. E kam fjalën kryesisht për reagimet e LSI ndaj PS.

E thashë edhe më sipër, se reagimet kanë qenë disi të nxituara. Është normale që secila parti të bëjë llogaritë e saj, por në çdo rast duhet të mbizotërojë arsyeja, dialogu dhe mirëkuptimi. Eksperienca e vyer politike nuk duhet në asnjë rast t’i errësojë arsyen liderëve të partive aleate të PS. Unë nuk besoj se janë shterur mundësitë për të gjetur rrugën e bashkëpunimit, tek i cili fshihet edhe çelësi i fitores në zgjedhjet parlamentare. Meta, Milo, Ceka duhet të ngrihen mbi interesat meskine, të dëgjojnë zërin e arsyes dhe mbi të gjitha të mos fshijnë me një të rënë të lapsit kontributin e përbashkët në këto 3 vjet. Zgjedhjet e 18 shkurtit dëshmuan se koalicioni i të gjitha partive sjell suksesin. PS i ka respektuar dhe i respekton aleatët, por ajo nuk mund të shantazhohet nga askush.

Përgjatë këtyre javëve të debatit për Kushtetutën, krerët e partive aleate me PS akuzuan kryetarin tuaj për marrëveshje me Berishën, marrëveshje e cila, sipas tyre, rëndon në kurriz të fitores së të majtës në zgjedhjet e 2009....

Duke mirëkuptuar ndonjë reagim që vjen nga emocioni apo moskuptimi si duhet i përpjekjeve të PS për të patur një sistem zgjedhor sa më modern dhe që i mbyll shtigjet manipulimit të vullnetit të shqiptarëve, duhet theksuar se aleatët tanë janë nxituar. Unë uroj që ata të reflektojnë dhe mos t’i shtyjnë mosmarrëveshjet drejt një situate pa kthim. Nuk ka kurrfarë marrëveshjeje të fshehtë apo të hapur midis Ramës e Berishës, përveçse interesit për t’i dhënë fund fenomenit të Dushkut dhe sistemit të kalbur që e prodhoi, për ta afruar Shqipërinë me standardet e demokracive të konsoliduara dhe për t’i krijuar vendit shanset për zgjedhje të lira e të ndershme. Çdo aludim apo akuzë në këtë drejtim është jo vetëm i ekzagjeruar, por edhe i sjell dëm interesave të elektoratit të majtë...

Në të vërtetë, a ka një marrëveshje të Ramës me Berishën?

Nuk ka nevojë të ketë kurrfarë marrëveshjeje Rama-Berisha, sa kohë që PS e PD kanë kuptuar më në fund se vendi ka nevojë për një klasë politike të pjekur, larg sherreve të ditës për interesa meskine. Vendit i dihet stabilitet, ndërsa demokracia ka nevojë të ngutshme për dialog e bashkëpunim për interesa madhore, sikurse janë integrimi në BE dhe anëtarësimi në NATO. Reformat e mëdha dhe të rëndësishme kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha forcave politike.

Ilir Meta i LSI, Ceka i PAD dhe Milo i PAD kanë shpallur idenë e krijimit të një poli të tretë në politikën shqiptare. Nëse kjo lëvizje do të ketë rezultatet e pritshme prej tyre, e shikoni këtë situatë si një rrezik për fitoren e së majtës në zgjedhjet e vitit 2009?

Është e drejta e tyre të riorganizohen, të krijojnë pole apo grupime, por unë ende shpresoj se rruga e fitores vjen përmes bashkimit e jo nga ndarja. PS është e gatshme të kontribuojë sinqerisht. Vetëm se jo gjithçka varet vetëm nga ne. LSI, PDS apo PAD duhet të mos injorojnë sinjalet nga anëtarësia e tyre, e cila, nga sa kam dijeni, kërkon bashkëpunimin me PS që është edhe partia më e madhe e opozitës. Zëri dhe shqetësimi i tyre nuk duhet injoruar sot, nesër do të jetë vonë.

Meta është shprehur se në lëvizjen e re politike do të ketë edhe figura të tjera të majta përveç tri partive të deklaruara. E ka fjalën për deputetë socialistë?

Unë nuk mund të di se ç’ka në kokë Meta, por më lejoni të përsëris se ai e ka eksperiencën e duhur për të kuptuar se diversioni dhe inati nuk të çojnë larg, ndaj sinqerisht shpresoj se edhe ai do të jetë më tepër i interesuar për fitoren e së majtës sesa për ta dëmtuar dhe kërkuar ta lërë atë sërish në opozitë. Agresiviteti ndaj Nanos më 3 korrik nuk mund të sjellë efikasitet ndaj Ramës, i cili po shihet gjithnjë e më shumë nga shqiptarët si shpresa se e majta do të fitojë dhe vendi do të ndryshojë. Kjo duket si drita e diellit, kush nuk e sheh, është miop politik.

Ka të pakënaqur në radhët e grupit parlamentar socialist për ndryshimet në Kushtetutë në pikën për sistemin zgjedhor, veçanërisht në pikën për listat e mbyllura?

Grupi parlamentar i PS ka votuar në bllok për ndryshimet kushtetuese, i bindur se ato i shërbejnë interesave të vendit dhe krijojnë shanse reale që PS dhe e majta e re të vijë në pushtet për të qeverisur krejt ndryshe nga sa është qeverisur vendi në këto 17 vjet. Sa i përket të ashtuquajturave lista të mbyllura, të cilat në fakt nuk janë të tilla, por të paravendosura para zgjedhjeve, mendoj se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se ka qenë zgjidhja më e mirë për të gjithë. Votuesi duhet të dijë që në fillim për cilin program, ekip dhe lider do të votojë, ndërsa koha kur zgjedhjet ktheheshin në fushë beteje për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit ka perënduar. Dita e zgjedhjeve do të jetë një ditë e qetë, ku njerëzit do të votojnë, si në një garë, ata që do të duhet t’i qeverisin duke shërbyer dhe jo duke përfituar për vete dhe farefisin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›