Lëvizjet brenda partisë, PDK në amulli të plotë
Brenda partisë ngrihen struktura paralele. Njëra palë kërkon shkarkimin e Ndokës. Ky i fundit ndjekje penale për Gurakuqin
TIRANË- Pakënaqësitë e kohëve të fundit të dy prej zv-ministrave të kabinetit qeveritar që përfaqësojnë PDK-në, Anton Gurakuqi dhe Zef Bushati kanë sjellë jo pak amulli brenda strukturave të kësaj partie. Duke pretenduar se njohin kryesinë prej 21 anëtarësh të miratuar sipas statutit të vitit 2004, ku 11 prej tyre u mblodhën dje, Gurakuqi e Bushati bashke me përfaqësuesin tjetër Kole Tonaj kanë kërkuar pezullimin nga drejtimi i partisë të kryetarit Nard Ndoka. Të mbledhur dje në mesdite, Tonaj u shpreh se kryesia nuk e konsideron më Ndokën si përfaqësuesin e PDK-së në qeveri. "Kryesia e PDK-së vendosi që deri në kongresin e jashtëzakonshëm të datës 10 maj 2008,mbledhjet e saj do të drejtohen nga z. Nikolin Kurti", tha Tonaj, i cili dje u prononcua si Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, por që zyrtarisht nga PDK njoftohet se këtë post e mban Ndue Shpani. Por kjo në fakt është vetëm njëra anë e medaljes. Pas qëndrimeve të njëpasnjëshme të Gurakuqit e Bushatit se, Ndoka po shkatërron PDK-në, që jo pa qellim u bënë në mungesë të këtij të fundit, edhe kreu i PDK-së, i sapokthyer nga një vizitë disa ditore në Kroaci, mblodhi kryesinë qendrore, ose më saktë pjesën tjetër të saj, që duket se përfaqëson shumicën. Sipas informacioneve zyrtare, numri i anëtarëve të kryesisë, me disa ndryshime që janë bërë së fundmi në statutin e PDK-së, është 33 dhe jo 21 siçpretendohet nga pala tjetër. "Kryesia në mënyrë unanime u shpreh kundër përpjekjeve të individëve dhe klaneve politike të partive të tjera, të majta e të djathta, që ditët e fundit tentuan të përfshihen dhe të spekulojnë në emër të PDK-së dhe demokristianëve shqiptarë. PDK nuk do të lejojë asnjë individ të partive të tjera politike të përdorë siglën dhe emrin e saj, siç edhe nuk do të tolerojë asnjë individ që në emër të PDK-së të spekulojë duke u bërë pjesë e një fushate denigruese, fyese dhe të pavërtetë", thuhet në vendimin zyrtar të kryesisë së PDK-së.Duke analizuar këto zhvillime, kryesia e PDK-së vendosi thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të partisë për të marrë vendimet përkatëse politike. Pikërisht ky Këshill Kombëtar do të autorizojë kryetarin e PDK-së, Nard Ndoka që t'i kërkojë zyrtarisht kryeministrit Sali Berisha shkarkimin e dy zv-ministrave, pasi, sipas kreut të partisë, ata nuk përfaqësojnë më PDK-në. Në të njëjtën kohë, pas mbledhjes së kryesisë, Kryetari i PDK-së, ka kërkuar ndjekje penale për Anton Gurakuqin, pasi, sipas tij, ai ka përdorur në mënyrë jo ligjore logon e PDK-së. Ndoka ka përjashtuar Bushatin nga kjo kërkesë duke e konsideruar këtë të fundit si funksionar të një partie tjetër të regjistruar në gjykatë nga ish-kryetari i grupit parlamentar Pashk Ujka, por që ky i fundit e ka mohuar. Sipas kryedemokristianit, Nard Ndoka, brenda kësaj partie, muajt e fundit, kanë lindur edhe dy parti te tjera duke shtuar kështu problemet që, gjithsesi, sipas tij, nuk cenojnë legjitimitetin e partisë. Megjithatë problemet brenda kësaj partie duket se nuk do të kenë të sosur deri sa strukturat më të larta të kësaj partie Këshilli Kombëtar apo edhe ndonjë Kongres i Jashtëzakonshëm t'i japë fund kaosit e strukturave paralele brenda partisë.