E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani -Berishës: Shkarko Sefgjinin nga detyra

 PS përsërit kërkesën ndaj kryeministrit për të shkarkuar drejtorin e tatimeve, Arben Sefgjini

TIRANË- Partia Socialiste këmbëngul edhe një herë në kërkesën e saj drejtuar kryeministrit Sali Berisha për të shkarkuar drejtorin e Tatimeve Arben Sefgjini. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës në Partinë Socialiste, Ylli Manjani ka sjellë në vëmendje të kryeministrit, se po mban në punë një person i cili akuzohet nga prokuroria e krimeve të rënda për zhdukjen e një biznesmeni. Prandaj ka theksuar Manjani është e domosdoshme shkarkimi i menjëhershëm i tij nga detyra që mban dhe të vihet në dispozicion të hetimeve të prokurorisë. "Edhe një herë i kërkojmë zotit Kryeministër, të shkarkojë Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, duke lenë prokurorinë dhe gjykatën të qetë, të bëjnë detyrën e tyre. Duhet t'i lërë të bëjnë detyrën, sepse kështu autoriteti i tyre cenohet gjithnjë e më shumë", - u shpreh Manjani duke iu drejtuar publikisht kryeministrit Berisha. PS ka bërë të ditur dje se shkarkimi i Sefgjinit, është më e pakta që kryeministri Berisha mund të bënte në ndihmë të zbardhjes së kësaj çështje. "Nuk e kuptojmë dot, se si ka mundësi, që zoti Kryeministër vazhdon t'i nxjerrë bojën këtij shteti, duke mos shkarkuar nga detyra një të akuzuar për vrasje, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda? Drejtori i Tatimeve nuk shkon dot as në Maqedoni, sepse nuk ka pasaportë. Sepse, pasaporta i është bllokuar nga Prokuroria, pasi akuzohet për vrasje. Turp më të madh nuk ka! Shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh qeverisë ose më saktë tekave të Kryeministrit, që nuk shkarkon një të akuzuar. Ndërkohë që ajo që kërkohet është vetëm minimumi i minimumit", - u shpreh Manjani. Sipas tij, shkarkimi i Sefgjinit është dhe një detyrim për kryeministrin e Shqipërisë, i cili është përbetuar për luftë kundër krimit dhe vendosjen e shtetit ligjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›