Bello: Taksat, ekonomia e shqiptarëve në rënie
Deputeti i PS-së Marko Bello flet për politikat e gabuara fiskale të qeverisë
TIRANË- Kriza e ushqimeve dhe politika e gabuar fiskale e qeverisë po rëndojnë çdo ditë e më shumë xhepat e shqiptarëve. Në këtë përfundim ka dalë Partia Socialiste, pas analizës që i ka bërë situatës ekonomike të shqiptarëve, të cilët po vuajnë jo vetëm krizën e lajmëruar botërore të ushqimeve, por edhe taksat e shumta të vendosura nga qeveria. Deputeti socialistë Marko Bello, në emër të grupit parlamentar socialistë, duke u nisur nga ky fakt ka akuzuar ekzekutivin dhe mazhorancën e djathtë se jo vetëm që nuk arrin ti vij në ndihmë qytetarëve për të përballuar këtë krizë, por me anë të taksave të renda po ndikon negativisht në ekonominë e tyre. "Kriza e ushqimit, rritja vertikale dhe e shpejtë e çmimeve të ushqimit e shtrirë në një gamë të gjerë artikujsh jetikë, po godet gjithnjë e më tepër çdo familje shqiptari duke rritur nivelin e varfërisë. Për fat të keq qeveria është dorëzuar dhe nuk po ndërmerr asnjë veprim për të rimbursuar familjet e goditura nga kjo krizë. Përkundrazi, me politikën e saj fiskale, taksat dhe rikthimin brutalisht të sistemit të referencave qeveria e kryeministrit Sali Berisha po ndikon edhe më tej në varfërimin e familjeve shqiptare", - u shpreh dje Bello. Sipas selisë rozë situata është bërë edhe më e vështirë për ata familjarë të cilët janë punësuar në shtet dhe në privat dhe që paguajnë një sërë taksash, që janë kthyer në një barrë të rëndë për pagat e tyre. Për të ilustruar peshën reale që shkaktojnë këto taksa në buxhetet familjare të shqiptarëve, deputeti Bello ka sjellë në vëmendje të opinionit publik taksën e sheshtë prej dhjetë për qindësh mbi pagën reale si dhe 20 për qind TVSH që shqiptarët duhet të paguajnë për çdo produkt që blejnë apo konsumojnë.