Bello: Përgjegjësia për humbjen e PS është individuale
Aristir Lumezi
Deputeti socialist Marko Bello shprehet kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e PS-së. Në një intervistë për “Panorama”, deputeti i qarkut të Beratit kërkon që PS të mos kopjojë opozitën më të keqe të bërë nga PD-ja në vitet 1997-2005, por të tregojë filozofinë dhe frymën e saj evropiane. Deputeti socialist shpreh shqetësim se në PS po kërkohen alibi nga disa individë, për të cilët mbetja e PS në opozitë nuk është tragjedi, boll që ata të ruajnë statusquonë.
Asambleja Kombëtare pritet të vendosë ditën e martë mosnjohjen e zgjedhjeve dhe për pasojë bojkotimin e Parlamentit. Mendoni se ky qëndrim justifikon atë që është quajtur gjatë katër viteve opozitë si politikë e re?
Unë nuk do të doja të paragjykoja vendimin që pritet të marrë Asambleja Kombëtare e PSSH, e cila do të mblidhet ditën e martë paradite. Në çdo rast, unë nuk do të isha dakord me frymën e bojkotit dhe refuzimin për të marrë përgjegjësitë e humbjes në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009. Partia Socialiste është forca më e madhe në vend, dhe fakti që nuk ia doli të rikthehej në pushtet nuk mund të justifikojë qëndrime që vijnë ndesh me filozofinë dhe frymën e saj evropiane. Një parti serioze që hyn në garë me rregulla loje të përcaktuara dhe pranuara me konsensus, nuk mund të sillet me papërgjegjshmëri dhe të bjerë në aventurizëm politik. Ne nuk mund të kemi dy parti socialiste, njëra para 28 qershorit që përcjell frymë demokratike, që respekton rregullat e lojës politike në një shoqëri pluraliste, që i shmanget anatemimit të kundërshtarit politik, duke u fokusuar më shumë tek alternativa, dhe partia socialiste e pas 28 qershorit, që përpëlitet për të mos pranuar humbjen, që rrit agresivitetin verbal dhe frymën e konfliktit, që nuk respekton institucionet dhe që rrezikon të zhgënjejë edhe ata që me shumë shpresë e votuan. Ku po shkojmë?
Çfarë efekti mund të ketë në elektoratin socialist, që votoi më 28 qershor, fakti i mospërfaqësimit të grupit parlamentar socialist në parlament, atje ku miratohen ligjet dhe reformat?
Do të ishte katastrofë, nëse dëshpërimi për humbjen do të transformohej me djallëzi në një mllef kundër institucioneve demokratike, për ndërtimin dhe konsolidimin e të cilëve ka kontribuar kaq shumë forca jonë politike. Në një republikë parlamentare sikurse është vendi ynë, është absurditet dhe budallallëk me brirë të mos njohësh parlamentin, tempulli ku sovrani u delegon pushtetin për 4 vjet përfaqësuesve të tij. Është mëkat për një parti që ka thuajse gjysmën e trupës legjislative t’i mohojë vetes të drejtën e përfaqësimit, të opozitarizmit dhe vendimmarrjes për çështje kardinale për fatet e vendit dhe zhvillimin e shoqërisë. Eksperienca e vendeve të tjera ka treguar se qëndrime të tilla radikale, jo vetëm që nuk çojnë në zgjidhjen e problemeve, por më keq akoma dekurajojnë dhe largojnë mbështetësit e opozitës, duke nxjerrë atë në periferi të shoqërisë dhe duke i garantuar humbjen e radhës. Një parti që ka luftuar me sukses për t’u shkëputur nga e kaluara, sot anëtare e Internacionales Socialiste nuk mund të kthehet pas dhe të adoptojë qëndrime që e armiqësojnë me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Bojkot ndaj parlamentit bëri në vitin 2001 Partia Demokratike, e cila më vonë edhe nën presionin e ndërkombëtarëve u rikthye në kuvend. Mendoni se me këto qëndrime radikale PS po imiton në kohë PD?
Pa diskutim që një nga arsyet përse Partia Demokratike mbeti gjatë në opozitë lidhet me faktin se adoptoi një frymë bojkoti dhe agresive ndaj institucioneve. Do ta kisha të vështirë të besoja se Partia Socialiste do t’i kthehej modelit të dështuar të opozitës së Partisë Demokratike të viteve 1997-2005, aq më tepër që kjo e fundit gradualisht ka ndryshuar qëndrim, të paktën në formë. Megjithatë, vë re me shqetësim se kohët e fundit po vihen re simptoma që paralajmërojnë ndryshimin e kursit dhe devijim nga pozicioni zyrtar i deritanishëm. Po kërkohen alibi nga disa individë, për të cilët mbetja e PS në opozitë nuk është tragjedi, boll që ata të ruajnë status quonë. Ndaj dhe shpikin lloj kinezërira të tipit: as nuk kemi humbur, as kemi fituar, jemi 70 me 70, na kanë vjedhur, na kanë grabitur votat e të tjerë.
Tingëllon ky qëndrim koherent nëse sjellim në vëmendje qëndrime mjaft lëshuese dhe të zbutura, si për ngjarjen e Gërdecit, ashtu dhe për çështjen Fazlliç, korrupsionin e rrugës Durrës-Kukës apo dhe çështjen e mospajisjes së shtetasve me karta identiteti?
Është ende shpejt të flitet, aq më tepër që forumet e partisë nuk e kanë thënë fjalën e tyre. Unë do të luftoj që PS të vijojë të mbetet një forcë serioze, që ndryshon dhe i përshtatet zhvillimeve të shoqërisë, duke ruajtur gjithsesi koherencën dhe principalitetin, frymën demokratike dhe debatin konstruktiv. Në këto momente të vështira, Partia Socialiste duhet të ruajë indin e vet, ADN e saj si forcë e majtë progresiste, që më shumë se për mbledhjet e KRRTRSH dhe ndarjen e tortës, duhet të preokupohet dhe shqetësohet për votuesit realë te saj, për mijëra të papunët, të pastrehët, fermerët, mësuesit, mjekët apo shtresat në nevoje...
Ky qëndrim radikal, mendoni se ka lidhje me mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, kur koalicioni i PD ka marrë 4 deputetë më shumë se ai i PS-së?
Gjasat kështu duken, por unë sërish këmbëngul se janë qëndrime sporadike, emocionale dhe ende jo dominuese. Kam bindjen se shumica e forumeve partiake kanë qartësinë e duhur dhe eksperiencën e mjaftueshme politike për ta lexuar drejt rezultatin e zgjedhjeve, me realizëm dhe në sensin e përgjegjësisë. Nuk kemi nevojë për qëndrime të nxituara, aq më pak për frymë revanshi. Duhet një analizë me gjakftohtësi, me dëshirën për t’u bërë të gjithë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit, duke i kthyer anëtarëve dhe simpatizantëve shpresën dhe duke i përgatitur për sfidën e radhës. Veçse, siç ndodh rëndom në shoqëritë demokratike, përgjegjësitë nuk janë kolektive, por individuale dhe sipas hierarkisë.
Ju pretendoni se partia juaj është një forcë politike me demokraci të brendshme. Si e shpjegoni reagimin e ashpër ndaj zërave kritikë që vijnë nga baza?
S’ka dyshim se qëndrime të tilla janë të papranueshme dhe nuk ka shans për asnjë që mendon se PS mund të kthehet në një simotër të Partisë Demokratike, ku flet dhe vendos lideri dhe të tjerët nuk pipëtijnë. Edhe ndonjë deformim që mund të vihet re besoj se do të sfumohet dhe tretet nga liria tashmë e fituar. Cilidoqoftë lideri i PS, nuk duhet në asnjë rast të harrojë forcën e zërit kritik dhe mendimit ndryshe, aq vitale për partinë. Dhe meqenëse në PS e kanë për zemër Barak Obamën, dua të kujtoj një nga frazat brilante të tij pasi u zgjodh si President i SHBA: “...Do të jem shumë i vëmendshëm ndaj zërave kritikë, qoftë ai edhe një zë i vetëm...”