E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: JO bojkotit, PS nuk është PD

 

Aristir Lumezi

Sekretari socialist për Programin, Andis Harasani e konsideron moshyrjen e grupit parlamentar socialist në Kuvend një imitim të qëndrimit të PD-së në 2001, i cili mund të ketë pasoja politike për PS-në. “Mosfutja në Parlament është e ngjashme me PD-në e 2001, ashtu siç është dhe përpjekja për të mbledhur Asamblenë e Lushnjës me njerëz që s’kanë lidhje me PS-në. Partia Socialiste është Partia Socialiste dhe askush s’mund të mendojë ta bëjë atë PD”, u shpreh Harasani. Ai shprehet se qeveria aktuale duhet të rrëzohet nga opozita, por nuk është bojkoti ai që e bën këtë gjë. Ai shprehet se prezenca aktive e PS në Parlament bëhet në radhë të parë në respekt të votës që shqiptarët i dhanë kësaj force politike. “Kjo qeveri duhet rrëzuar sa më parë. Por unë mendoj se respektohet vetja, Partia Socialiste dhe elektorati që na ka votuar duke shkuar në Parlament, duke qenë të gjithë bashkë grup”, u shpreh Harasani. Sekretari socialist kërkon që PS të analizojë qetësisht dhe të marrë vendime që nuk do të kenë një kosto për të në të ardhmen. “Ka shumë gjëra që mund të na ndajnë, por ajo që na bashkon është vota e njerëzve dhe duhet ta respektojmë atë votë. Çdo vendim i nxituar sot, do të kthehet nesër politikisht në dëmin tonë. Partia Demokratike doli nga Parlamenti në 2001, por u kthye prapë, pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Mendoj se s’mund të ketë parti jashtë Parlamentit. Jam i bindur që Edi Rama do jetë i pari që do kërkojë të hyjë në Parlament, për të respektuar atë punë madhore që ka bërë këto katër vjet. Dialogu me Shqipërinë na mësoi shumë në lidhje me respektin dhe përgjegjësitë që duhet të kemi përballë shqiptarëve. Personalisht do respektoj çdo vendim që do marrë Asambleja” u shpreh Harasani. Sipas tij, nëse sot braktisim Parlamentin, nesër bashkitë ku kemi fituar, me këtë rrugë vetëm dëmtojmë veten. Duke analizuar përgjegjësitë e kreut socialist në zgjedhje, Harasani e krahason Ramën me trajnerin e një ekipi. “Dhe para zgjedhjeve e kam thënë që Edi Rama është trajneri i këtij ekipi dhe kur nuk arrihet objektivi që ai kishte vënë trajneri mban përgjegjësi. Është njësoj si të thuash që trajneri nuk mban përgjegjësi për arritjen e rezultatit se ekipi ka shënuar më shumë pikë se viti i kaluar, bile ka arritur të gjuajë dhe më shumë korne”, shprehet Harasani.
Sekretari socialist në një intervistë për “Panorama” pak ditë më parë është shprehur se PS në këto zgjedhje bëri të njëjtat gabime si katër vjet më parë dhe mori të njëjtin rezultat, pasi ishin të njëjtët njerëz që udhëhoqën procesin. “Sa kohë që ne nuk kemi mundësi të krijojmë qeverinë tonë, ne kemi humbur në zgjedhje”, shprehet Harasani. Sipas tij, fushata u personalizuar shumë dhe ky nuk është vetëm faji i Ramës. Ai u shpreh se Edi Rama, si kryetar i një partie evropiane, duhet të zbatojë statutin pas këtij rezultati. Sekretari socialist i cilësoi emocionale deklaratat e eksponentëve të PS-së për tradhti të Metës, pasi sipas tij çdo parti synon të vijë në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›