Moisiu: Prapaskenat e tryezës së zgjedhjeve të 2007, Nano e Berisha donin të më sfidonin
“Midis Nanos dhe Berishës”. Kështu titullohet libri i ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, në të cilin ai tregon 5 vitet e vështira të mandatit të tij në krye të vendit. Moisiu ndalet në ngjarjet më kulmore të këtij 5-vjeçari, duke na treguar prapaskena takimesh, marrëveshjesh dhe konfliktesh të hapura. Në këtë libër që pritet të dalë së shpejti në treg, përmes shtëpisë botuese “Toena”, na vijnë personazhet kryesore të politikës shqiptare, parë nga një tjetër protagonist i kohës, që asokohe mbante postin më të lartë të shtetit. Berisha, Nano, Rama, Topalli, Mediu..., të gjithë në rrëfimin e ish-presidentit. Në këtë numër Alfred Moisiu tregon mbi tryezën e partive në janarin e vitit 2007 për zgjedhjet parlamentare.
Alfred Moisiu
Ndonëse isha në muajt e fundit të mandatit tim presidencial, prapë kishte çështje të rëndësishme, që kërkonin zgjidhje. Përplasjet e mia me maxhorancën për problemet kushtetuese tregonin qartë se nuk bëhej më fjalë për një mandat timin të dytë, për më tepër jo rrallë, Berisha indirekt ishte shprehur, duke thënë: “Lëreni Presidentin të qetë të konsumojë mandatin e tij”, pa folur mandej për Jozefinën, e cila në mënyrë jo etike, duke shpërfillur Kushtetutën dhe shtetin ligjor, që në fund të vitit 2003, ishte shprehur: “Kërkojmë falje shqiptarëve që votuam për këtë president”! Shprehje kjo me shumë cektësi politike dhe juridike për një kryetare Kuvendi. Ka ndodhur që me të drejtë të ktheja ndonjë ligj, menjëherë grupi parlamentar i shumicës, pa kurrfarë edukate, takti politik dhe qytetar, vinte në dukje se ne i kemi votat për të zgjedhur presidentin, duke aluduar kështu qartazi se nuk kemi nevojë për konsensus, do të zgjedhim atë që na pëlqen dhe që na duhet, për t’i shërbyer interesave tona partiake! Miq dhe dashamirës të së djathtës, arritën deri aty, sa kur më shihnin në aktivitete të ndryshme ose pritje të ndiheshin në siklet për të më takuar, sepse mendonin që edhe mund të ndëshkoheshin nga “Marshalli”, shprehje kjo e brendshme në PD, që përdorej për nominimin e kryetarit të tyre. Për ta ilustruar në mënyrë konkrete, po sjell një rast të rëndomtë, por tepër sinjifikativ që më ka ndodhur në një ditë vere, në vitin 2006. Isha në një drekë me të njëjtin rreth shoqëror, si mblidheshim shpesh, edhe më parë. Kur u ula, pashë se një pjesëtar i shoqërisë mungonte. Kur pyeta për të pse s’kishte ardhur, njëri nga miqtë, jo pa domethënie u përgjigj: “Zoti President, nuk është pa rrezik ngrënia e drekës me ju”! Nga ajo përgjigje nuk u befasova aspak, por thjesht buzëqesha, duke shtuar: “E po nuk i vë edhe shumë faj, ka fëmijë për të rritur”! Mund të përmend edhe shumë shembuj të tjerë, por nuk ia vlen, sepse janë veprime tepër të rëndomta!
Gjatë kësaj kohe të shkurtër, që më kishte mbetur si Kryetar i Shtetit, një ndër problemet më të mprehta dhe të ngutshme pata çështjen e zgjedhjeve. Dukej qartë se ato nuk do të mund të zhvilloheshin në datën e shpallur. Paraqitej shumë shqetësues fakti se debatet nga opozita vazhdonin, sepse pretendonin që nuk ishin të gatshëm për të marrë pjesë. Megjithatë, maxhoranca as që kishte ndër mend të ulej për të biseduar dhe për ta zgjidhur problemin. Kurse me mua vazhdonte të mbante një qëndrim të atillë, që demonstronte qartë se nuk kishte absolutisht dëshirë që unë të përfshihesha në atë proces! Ndërkombëtarët, duke filluar nga SHBA, BE, OSBE, me të drejtë manifestonin shqetësim, pasi nëse ne nuk do të ishim në gjendje t’i kryenim ato zgjedhje, Shqipëria do të futej në radhën e shteteve të falimentuara, që do të ishte me pasoja të rënda për synimet tona integruese. Në atë situatë të komplikuar, një ndihmë të vlerësueshme dhanë partitë e vogla, si të spektrit të majtë ashtu dhe të djathtë. Ato vazhdonin me këmbëngulje të kërkonin thirrjen e një tryeze politike nga ana ime, për të cilën edhe unë isha dakord, por duke parë qëndrimin jo dashamirës të PD-së ndaj thirrjes së tryezës, po tregohesha i kujdesshëm, sepse marrja e një nisme të tillë, duhej të ishte rezultative dhe jo simbolike. Përpjekjet e bëra vitin e kaluar, nga disa personalitete të maxhorancës, për arritjen e mirëkuptimit reciprok, deri në atë kohë nuk kishin dhënë rezultat, sepse Berisha vazhdonte me teorinë e tij tërhiqe deri në fund se çoç do të dalë! Kjo ndodh, ngaqë i ruhet primatit të humbjes edhe sepse e di që koston e paguajmë të gjithë së bashku, dhe sidomos shqiptarët e varfër, të cilëve kjo lloj politike u ka kushtuar shumë! Rezultati i këtyre politikave ka sjellë zgjatjen e këtij tranzicioni, që në vazhdimësi është shoqëruar me rritjen e varfërisë, të papunësisë, të korrupsionit, të krimit dhe të tjera probleme negative. Në vazhdimësi, si rezultat i një lufte politike jo të standardeve evropiane, kemi pasur dobësim të shtetit, përkeqësim të administratës, dobësim të Policisë së Shtetit, derisa tani po shkohet drejt policive partiake, e të tjera negativitete të këtij karakteri, që nuk kanë asgjë të përbashkët me një shtet demokratik dhe ligjor.
Dihet se për të hyrë në dialog ka shumë rëndësi që në radhë të parë te palët, të ketë dëshirë dhe gatishmëri, pra të ketë vullnet politik për të ndryshuar situatën e krijuar. Por eksperienca ka treguar se negociatat kanë dështuar, sepse politikanët tanë i përdorin ato më shumë si manovër taktike sesa si mjet për arritjen e mirëkuptimit për një zgjidhje të vërtetë. Ndaj si të tillë refuzojnë të dalin nga pozicioni i tyre i fortifikuar ku janë vendosur që në fillim, ngaqë si pikësynim gjithmonë kanë arritjen e qëllimeve të caktuara. Për të lëvizur nga këto pozicione, zakonisht janë dashur ndërhyrjet e të huajve, gjë që tregon jo vetëm dobësi, por edhe inferioritet të panevojshëm. Kjo gjendje gjithmonë nuk më ka pëlqyer dhe më ka munduar shpirtërisht, ndaj përpiqesha që të arrinim vetë, duke demonstruar se politika shqiptare është në gjendje t’i zgjidhë problemet e saj edhe pa ndërhyrjen e të tjerëve, ndonëse ka qenë shumë e vështirë për t’u realizuar.
Për të gjetur rrugëdaljen nga situata aspak normale e krijuar, filluan përpjekjet që në ditët e para të janarit. Edhe pse e shihja që maxhoranca nuk kishte aspak dëshirë që unë të bëhesha ndërmjetësi për zgjidhjen e problemeve, që po qëndronin vendnumëro, fillova përpjekje intensive për të dalë nga gjendja e krijuar. Vetëm dy javë kishin mbetur nga afati i caktuar për zgjedhje ndaj, më 5 janar, rifillova kontaktet me përfaqësues të maxhorancës dhe të opozitës. Të parin thirra Rusmajlin, i cili qëllimit të takimit iu përgjigj menjëherë me një sërë akuzash ndaj meje, sikur po mbaja anën e opozitës, duke mos qenë kritik ndaj veprimeve të tyre! Sigurisht që akuzat nuk qëndronin, sepse gjithmonë shqetësimet e mia janë drejtuar drejt zgjidhjes së situatës dhe jo anësimit. Duke bërë indiferentin ndaj fjalëve pa bereqet, kërkova që të gjendet zgjidhja nëpërmjet dialogut. I thashë se, për të dalë nga gjendja e krijuar, është nevojshme që të dy palët të lëshojnë pe. Po këtë ditë thirra edhe Majkon, të cilit i kërkova që të ishin më fleksibël, pasi edhe ata si opozitë kishin përgjegjësinë e tyre. Ai kërkoi ndihmën time për tryezën politike, duke e konsideruar atë të domosdoshme. Për arritjen e qëllimit thirra përfaqësuesit e partive të vogla dhe u kërkova që të dalin bashkërisht, nga të dy krahët, për të kërkuar thirrjen e tryezës, sepse nuk kishte më kohë.
Pas takimit me mua, ata njëzëri kërkuan publikisht që Presidenti të mbledhë tryezën, si e vetmja rrugë e mundshme, për të dalë nga ngërçi që kishim hyrë. Më 8 janar, dola para medias me një deklaratë shqetësuese, duke u bërë forcave politike një thirrje të fortë, për t’u ndërgjegjësuar dhe për t’i vënë para përgjegjësisë publike për situatën e krijuar. Mandej menjëherë u nisa partive politike ftesat, sepse koha ishte në limitet e saj. Jo ditët, por edhe orët ishin shumë të vlefshme.
Një orë pas daljes në media, thirra ambasadorin Grunet, për ta vënë në dijeni mbi gjendjen dhe vendimin që kisha marrë. Ai e mbështeti vendimin tim, por me të drejtë me shumë dashamirësi shtoi se me një takim do të ishte e vështirë që të arrihej mirëkuptimi i tyre, ndaj për të arritur zgjidhjen e problemeve, do të duheshin disa takime. Nuk kishte arsye që të mos bija dakord me të, aq më tepër që i njihja mirë huqet dhe tekat e politikanëve tanë, veçanërisht ato të maxhorancës aktuale. Meqenëse koha ishte shumë e shkurtër, menjëherë në mbrëmjen e 8 janarit thirra Çlirim Gjatën, kryetarin e KQZ-së, të cilit i kërkova përllogaritjen e saktë të kohës që duhej për të kryer të gjitha procedurat e nevojshme për të organizuar zhvillimin e zgjedhjeve sipas ligjit.
Të nesërmen, më 9 janar ora 12.00, mblodha tryezën partiake. Në takim merrnin pjesë të gjithë kryetarët e partive politike parlamentare, me përjashtim të Berishës që përfaqësohej nga Topi. Çuditërisht, pa kaluar as pesë minuta nga fillimi i punës, Berisha thirri Mediun, me sa dukej për t’i dhënë udhëzime! Kjo më bëri përshtypje, pasi përfaqësuesi i tij ishte Topi dhe jo Mediu, megjithatë kjo ishte punë e tyre. Pasi u fola shkurtimisht mbi situatën e krijuar dhe rreziqet e saj, përmenda edhe vërejtjet e përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, të cilët kishin cilësuar me forcë se sa e dëmshme dhe e rrezikshme ishte ajo situatë për të ardhmen integruese të vendit. Nisur nga fakti që ishim në limitet ekstreme të kohës, për të ndihmuar në përshpejtimin e punës, u shpërndava të tërëve një projekt-platformë me problemet që mendoja se duheshin diskutuar dhe zgjidhur, si dhe me disa variante zgjidhjeje në këtë drejtim. Në takimin e dytë, të orës 16.30 të asaj dite, përfaqësuesit e maxhorancës deklaruan se ishin dakord me variantet e propozuara, ndërsa opozita kërkoi më shumë kohë për t’i vlerësuar dhe për t’u menduar. E mora në konsideratë kërkesën e tyre dhe për këtë arsye e shtyva takimin për në orën 21.00 të po asaj dite. Kur u mblodhëm për herë të dytë, me humor u thashë se do ta bëjmë sipas rregullave të Vatikanit kur përfundon zgjedhja e Papës dhe mbledhja e Konklavit mbyllet, del tymi i bardhë në oxhak, që lajmëron se kanë një Papë të ri. Jo pa qëllim e thashë atë, edhe pse pjesa më e madhe qeshi. Doja ta kuptonin se nuk kisha ndërmend ta ndërprisja tryezën, pa u zgjidhur problemi. Ndërkohë, shumica deklaroi se ishin dakord ta firmosnin variantin e paraqitur që atë çast. Opozita nuk pranoi, duke ngritur pretendimin se u duhej më shumë kohë për ta studiuar dhe për të hartuar platformën e tyre. Sigurisht që këtë pozicion të opozitës nuk e pëlqeva, për çka i tërhoqa vëmendjen, pasi këtë duhet ta kishin bërë më parë. Meqenëse mungonte varianti alternativ i opozitës, nuk kishte më kuptim të vazhdonim mbledhjen, ndaj dhe në orën 23.00 u ngritëm, duke deklaruar se tryeza do të vazhdojë. Të nesërmen në mëngjes thirra z. Rama, të cilit i kërkova që opozita t’i përgjigjej situatës më me shpejtësi, pasi koha nuk priste. Po kështu të njëjtën gjë ia kërkova edhe z. Meta.
Edhe ndërkombëtarët ishin të shqetësuar, ndaj po e ndiqnin tryezën me shumë interes dhe vëmendje. Ministri i Jashtëm i Spanjës Moratinos, që ishte kryetari i radhës i OSBE-së, kishte dërguar në Tiranë drejtorin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Spanjës z. Hose Pons, i cili, pasi deklaroi mbështetjen e tij ndaj veprimeve të mia, tha se është në dispozicionin tonë për të ndihmuar në çdo situatë.
Më 10 janar, në orën 21.30, thirra tryezën rishtas për vazhdimin e punës. Më në fund opozita, pas këmbënguljes time, e kishte sjellë draftin e saj. Në mënyrë që tryeza të mos futej në përplasje mendimesh të pafund dhe të mos kalohej në ofendime reciproke, aq të zakonshme për politikanët tanë, vendosa që t’i ndaj në dy grupe. Maxhorancën e vendosa në një sallë më të madhe, meqenëse ata ishin më shumë, ndërsa opozitën e vendosa në një sallë tjetër, në të njëjtin kat të Presidencës. Fillimisht mora takim me përfaqësuesit e maxhorancës, të cilëve u dhashë variantin e sjellë nga opozita. Ata turfulluan! Sidomos në veçanti Mediu, duke deklaruar se po i bëja lëshime opozitës. Mandej u larguan për konsultime me Kryeministrin. Me sa më thanë, Berisha i ishte përveshur Mediut me fjalë shumë ofenduese, të njohura për të në këto raste. Të ndodhur para këtij kërcënimi të kreut të maxhorancës, delegacioni i tyre, me t’u kthyer në Presidencë, më kërkoi takim. Tepër të shqetësuar, më thanë se në asnjë mënyrë nuk mund ta pranonin variantin e ofruar nga opozita për diskutim. Do t’i përmbaheshin vetëm dokumentit që u ishte dhënë që në fillim. Edhe pse ishin të irrituar, i ftova që atë variant ta shihnin me kujdes, sepse në përmbajtje ishte i njëjti, vetëm se ishin shtuar disa hollësira. Më në fund, pasi i qetësova dhe i binda se puna duhej vazhduar, u kërkova që të negocionin problem pas problemi, derisa të arrihej në zgjidhjen e çështjeve të debatuara. Negociatat vazhduan gjatë gjithë natës, ku ndërmjetësimi për sqarimin e problemeve bëhej nga këshilltarët e mi. Pranë maxhorancës kisha caktuar Krasniqin, ndërsa pranë opozitës Metanin. Ecejaket vazhduan deri në mëngjes. I gjithë stafi i Presidencës, qëndroi gjithë natën, që t’u shërbehej pjesëmarrësve, duke u ofruar ushqim, kafe, ujë dhe ndonjë çaj të ngrohtë. Atë natë qëndrova në zyrë edhe vetë, duke ndjekur nga afër punën e tryezës të ndarë në dy ambiente, ku sipas rastit merrja takime me kryetarët e partive. Pra, në këtë mënyrë, deri në orën 5.00 të mëngjesit të datës 11 janar, arritëm t’i zgjidhnim të gjitha kundërshtitë, me përjashtim të çështjes më të rëndësishme: me ç’lloj dokumentesh do të lejoheshin qytetarët të votonin?! Opozita ngulte këmbë që certifikatat e lëshuara para 1 nëntorit, për të cilat ajo kishte dyshime të mëdha, të përdoreshin vetëm pasi të ishin të noterizuara, ndërsa maxhoranca kërkonte që dokumentet e pranueshme, me të cilat do të vërtetohej saktësia e certifikatave, të ishin dhjetë, midis të cilëve edhe patentat për automjete. Por gjatë natës ndodhi diçka e papritur. Në orën 4.00 të mëngjesit, informohem se Berisha kishte ndërprerë çdo lloj komunikimi me të dërguarit e tij, gjë që e vështirësoi shumë ecurinë e mëtejshme të punës për zgjidhjen e kontradiktave. Përfaqësuesit e maxhorancës, me të drejtë e ndien veten të ofenduar për atë veprim të shefit të tyre. Nëpër dhëmbë thoshin: “Mirë që vetë s’erdhi, po së paku të mos bëhej pengesë”! Megjithatë duhet thënë se jo vetëm me këmbënguljen time, por edhe me dëshirën e tyre për të shkuar drejt zgjidhjes, situata nuk ngeli vendnumëro. Media tërë natën qëndroi para hyrjes së Presidencës, duke pritur rezultatet e zhvillimit të negociatave. Edhe për ata, dhashë porosi që të trajtoheshin për gjithçka donin, duke ngarkuar zëdhënësen time që kohë pas kohe t’u jepte informacione të shkurtra mbi ecurinë e punimeve. Disa televizione të rëndësishme, tërë natën mbetën online. Në orën 8.30 të datës 11 janar, për të sqaruar situatën e arritur, kontaktova me grupet e politikanëve. Më pas lejova të ndërprisnin punën, me kusht që të mendonin për zgjidhjen e problemeve që kishin mbetur pezull, sepse tryeza do të vazhdonte, deri në zgjidhjen përfundimtare. Edhe ata, pasi dolën nga Presidenca, i deklaruan medias se tryeza vazhdonte punën, pavarësisht se përkohësisht ishin lejuar të largoheshin.Po atë mëngjes në orën 10.00, prita ambasadorët e SHBA-së, BE-së, OSBE-së, të Gjermanisë, të Spanjës dhe të dërguarin e kryetarit të OSBE-së ambasadorin Pons, të cilët ishin të interesuar të dinin se si ishte situata. Mandej pyetën në se tryeza do të vazhdonte përsëri dhe në se do të bëheshin zgjedhjet në Shqipëri brenda kohës së caktuar. Pasi i sigurova se tryeza do të vazhdonte dhe se nuk do ta linim vendin pa zgjedhje, i falënderova për interesimin dhe punën e bërë prej tyre. Jo vetëm unë, por të gjithë u befasuam, kur në orën 12.30 të asaj dite, pamë në transmetim direkt nga Pallati i Brigadave takimin Berisha – Nano! Ja pra, këta dy individë, të cilët janë përgjegjësit kryesorë për ngjarjet e ’97 - ’98-s dhe për stërzgjatjen e këtij tranzicioni të vështirë, që e çuan këtë vend në varfëri dhe papunësi të lartë, që detyruan qytetarët e tyre të bënin tentativa të dëshpëruara për të kapërcyer detin e tërbuar dhe malet me dëborë, me humbje jete të qindra shqiptarëve, që kishin ushqyer dhe po ushqenin korrupsionin dhe mashtrimin, që kishin shkatërruar aparatin civil, policinë, ushtrinë dhe administratën, që nuk kishin lënë gjë pa thënë kundër njëri-tjetrit, çuditërisht me mburrje dhe paturpësi dolën në konferencë shtypi duke deklaruar se vetëm ata mund ta shpëtojnë Shqipërinë!! Nga ky veprim i Berishës u kuptua edhe arsyeja e ndërprerjes së kontaktit me të dërguarit e tij që në orën 04.00 të mëngjesit, enkas për t’i lënë hapësirë premtuese takimit të tyre. U duk hapur se takimi Berisha-Nano u bë për të sfumuar tryezën e mbledhur nga Kryetari i Shtetit, si dhe për të treguar se krizën po e zgjidhnin ata, sepse askush tjetër veç atyre të dyve nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë.