Bellorusia vazhdon t`i gjykojë rivalët e Lukashenkos

Dy rivalë të tjerë elektoralë të presidentit të Bellorusisë, Aleksandr Lukashenko, dolën sot para gjyqit për shkak të protestave që pasuan zgjedhjet e diskutueshme të dhjetorit.
Vladimir Njakljau dhe Vital Rimashevski, të cilët garuan kundër Lukashenkos në 19 dhjetor, akuzohen se së bashku me disa aktivistë, i kanë organizuar protestat që cënuan rendin publik.
Nëse shpallen fajtorë, mund të dënohen deri me tre vjet burg. Javën e kaluar, Andrei Sanikau, i cili gjithashtu ishte kundërkandidat i Lukashenkos, doli në gjyq nën akuza për organizimin e trazirave masovike, për të cilat mund të dënohet deri me 15 vjet burg.