Ben Blushi: E vërteta e rivalitetit me Ramën në letërsi, Berisha banal
Politikani dhe shkrimtari Ben Blushi flet për librin e tij të ri “Shqipëria”; lidhja e personazheve të Lekë Dukagjinit, Enverit e Mehmetit me figurat e vërteta.
Komentet për librin e Edi Ramës: Një përshkrim i bukur i së shëmtuarës sonë.
“Banaliteti i Sali Berishës është një gjë e padurueshme. Banalitetin ai nuk e kuron dot, jeton në banalitet”
Intervistoi Alfred Peza
Ju përveç të tjerave, keni dy shtëpi: politikën dhe letërsinë. Si qëndrojnë këto të dyja dhe si ngjiteni herë në katin e parë e herë në katin e dytë, pra herë në politikë e herë në letërsi?
...Politika dhe letërsia janë dy gjëra që këto 3-4 vitet e fundit jam munduar t’i ekuilibroj, megjithëse për hir të së vërtetës i kam marrë më shumë kohë politikës se letërsisë dhe nuk jam pishman, kam bërë një gjë më të mirë se ajo që mund të bëja në politikë.
Do të vazhdosh me letërsi, apo...?
Nuk e di...nuk e them dot, varet nga magnetizimi që ke në raste të ndryshme.
Keni emra si Enveri, Mehmeti në libër...
Nuk janë ata për hir të së vërtetës, pavarësisht se janë marrë për t’u vënë në një kontekst të ngjashëm në kohën kur ata kanë jetuar, për t’u përshkruar ndryshe...Enveri që njohim vdiq 70 e ca vjeç, Enveri im është fëmijë edhe komplet në një kontekst tjetër...
Ju keni thënë në një debat në parlament që Sali Berishën e keni bërë personazh në librin e parë, pak e shumë ajo merret vesh, ndërkohë që ka një personazh në këtë libër, është një personazh që pikturon fasadat. Është Edi Rama?
Jo. nuk është ai. Është një trill i mendjes sime...
Pse keni zgjedhur që personazhi juaj të ishte Lek Dukagjini...?
Së pari, sepse Lek Dukagjini më pëlqen si emër. Ai tingëllon shumë mirë të paktën në veshin tim si emër dhe së dyti, Lek Dukagjini i vërtetë, ai që njohim nga historia, kishte një rol shtetar në fakt..., ai tentoi të krijojë një Kod për të rregulluar raportet njerëzore... e kam përdorur emrin e tij jo për të përshkruar personazhin, por për të marrë pak nga nuanca e tij, por që sigurisht Lek Dukagjini i vërtetë nuk ka asnjë lidhje me Lek Dukagjinin tim.
Ky libër, përveçse është një libër pa kanun, ku kanuni nuk ekziston, është edhe një libër pa fe, ku feja pothuajse nuk ekziston... ju prapë luani me emra dhe me personazhe?
Në përgjithësi, nevoja e një njeriu për të zhdukur fenë është nevoja për të krijuar një fe tjetër... Kështu ka ndodhur në historinë e njerëzimit në kohën e komunizmit, pavarësisht se na u duk sikur u zhduk feja, në fakt ateizmi ishte një fe më vete që na u imponua me zor...Enver hoxha këtë bëri në fund të fundit, themeloi një fe, në qendër të së cilës ishte ai vetë.. Nevoja për të zhdukur një fe shkon me nevojën për të themeluar një fe, edhe Lekë Dukagjini në libër në fakt këtë tentoi të bënte, ai u bind që të mund të zëvendësonte Zotin dhe duke zëvendësuar Zotin për dishepujt e vet, shqiptarët në këtë rast. Besoi se duke i bindur apo detyruar apo frymëzuar mund të themelonte një fe të re, e cila do i ndryshonte shqiptarët si racë, sepse ai i besonte shqiptarët si racë e dështuar për fat të keq. Mendonte që të themelonte një racë të re që të dominonte botën. Dhe ky model utopik që unë e përshkruaj në libër ishte besëtytnia, ishte feja që donte të krijonte. Gjithë kohën Lekë Dukagjini jeton si Zot, dialogonte me Zotin, u flet njerëzve sikur të ishte Zoti. Nuk është një libër pa fe, por shpjegon nevojën e njerëzimit për t’iu afruar Zotit, ose në kohët e lashta për ta zëvendësuar. Është një libër që të ngre shumë pikëpyetje për raportin e njeriut me Zotin
Në Panairin e Librit u vu re që vëmendja kryesore u përqendrua tek tre-katër autorë…
U komentua shumë panairi këtë vit, u komentua për tre apo katër libra. U paragjykuan shumë autorë që konkurrojnë në treg; gazetarë, analistë apo politikanë. Menduan që ne tre-katër njerëz në panair e monopolizuam atë si ngjarje. Kjo nuk është e vërtetë. Nuk kishte asnjë tendencë për të tërhequr gjithë vëmendjen, për të vënë te dera e panairit një polic që drejtonte njerëzit nga unë, nga Fevziu nga Rama, apo nga dikush tjetër.
Apo për të drejtuar prozhektorët tek ju dhe për t’i lënë në hije të tjerët….
Jo, pavarësisht se kjo ndodhi, për mirë apo për keq kjo ndodhi, por nuk ishte ky kuptimi. Në panair ndoshta njerëzit janë nxitur për të ardhur më shumë, masivisht te stendat tona edhe për shkak të ekraneve që vunë prozhektorët mbi ne. Por ajo që kam menduar kur shihja shumë njerëz që vinin dhe kërkonin shumë autografe ishin dy gjëra: e para thosha me vete se, pavarësisht se këtu i ka sjellë një televizion apo një gazetë apo një koment i masivizuar, besoj se në masën 80 % nuk do i zhgënjej ata që blejnë librin. Dhe e dyta që mendoja kur shihja aq shumë njerëz që kërkojnë autografe thosha dhe këtë e mendoj akoma se për të marrë autografe në stendat tona u kthye në një modë. E kam parë nga njerëzit që nga portretet më dukeshin të pa interesuar për librin dhe e blinin për të marrë një autograf nga unë apo nga dikush tjetër, si modë. Por edhe sikur kjo është kthyer në një modë në përqindje të caktuar nuk është një modë e keqe, sepse nëse fut një libër në shtëpi, pavarësisht se mund të mos e lexosh kurrë është më mirë sesa të futësh një play-station. Dhe sidomos kjo kategori për të cilën u fol shumë në panair, përfshi dhe librin tim modestisht, sepse ka shumë Shqipëri brenda, te libri im, te libri i Fevziut, te libri i Ramës, te libri i Helena Kadaresë, te libri i Spartak Ngjelës. Aty ka shumë Shqipëri, pra për çdo shqiptar, për çdo lexues sikur njëri nga këta 3-4 libra t’i bjerë në dorë me autograf apo jo, kjo s’ka shumë rëndësi se autografi është një karrem në kuptimin e mirë të fjalës, aty ka një Shqipëri të të gjitha kohërave, të ditëve të sotme, të para 50 viteve etj.
Çfarë ndodhi në këtë panair?
Unë mendoj se është rritur interesi për librin në përgjithësi. Sado që ka shumë njerëz që na konsiderojnë si spekulantë, si njerëz që kërkojmë të tërheqim vëmendje për arsye politike, ku më fusin dhe mua, si njerëz që duan të fitojnë shumë. Por shitja e librit dhe komunikimi me njerëzit janë dy gjëra të ndryshme. Unë nuk mund të them që s’kam qejf që librat e mijë të shiten. Por nuk bëj libra për këtë arsye. Nëse do doja të bëja një libër të shitej tmerrësisht dhe për këtë shkak të fitoja shumë në aspektin financiar nuk do të shkruaja këtë lloj letërsie. Kjo është një lloj letërsie që mund të shitet shumë sot, por që është e vështirë për ta lexuar. Do të bëja një letërsi më të lehtë, letërsi me terma nga seksi deri tek tradhtitë apo tema dite. Nuk është kjo shtysa ime për të bërë letërsi dhe më vjen keq që njerëzit paragjykojnë dhe mendojnë se ne dolëm në një dyqan dhe bëmë garë me njëri-tjetrit për të fituar më shumë para apo vëmendje publike. Nuk ishte ky qëllimi. Nëse ndodhi ajo ndodhi, të paktën në rastin tim, ndodhi se dua të besoj se kam krijuar një set apo një kategori lexuesish relativisht të vëmendshëm ndaj meje. Unë kam shitur një libër 30 mijë kopje para tre vjetësh dhe nuk është çudi që shes dhjetë mijë kopje për dhjetë ditë, duke shtuar të gjithë këtë efekt mediatik apo publicistik. Nuk besoj se njerëzit kanë arsye që të na paragjykojnë, sepse unë nuk i kam marrë hakun një shkrimtari tjetër. Asnjë shkrimtar tjetër nuk dua të besojë se ai shiti x kopje për fajin tim. Jo unë jam në punën time.
Blush, keni shkruar ju, ka shkruar edhe Rama. Përveç rivalitetit politik, a ishte dhe një lloj rivaliteti mes jush ky nëpërmjet librave?
Jo. Jo sepse unë e thashë, e kam mbaruar këtë libër në prill dhe mesa di dhe mesa më ka thënë Edi Rama, ai ka filluar të shkruajë në verën e këtij viti. Për më tepër që ai shkruan krejtësisht për gjëra të tjera dhe unë shkruaj letërsi. Pra nuk ka rivalitet fare në këtë gjë. Të dy shkruajmë për t’i dhënë kuptim jetës tonë në radhë të parë dhe ky është një motiv që na bashkon dhe jo vetëm mua me Edi Ramën, por çdo njeri që shkruan. Por mënyra, stili, arsyet, nevoja, sigurisht që nuk janë njësoj.
Ju e lexuat librin e Ramës?
Pjesërisht po.
Si ju duket?
Është herët të flas për sa kohë që s’e kam mbaruar, por mund të them vetëm një fjali për të cilën jam i bindur, është një libër që e përshkruan shumë bukur të shëmtuarën tonë.
Pjesën tuaj e keni lexuar?
Jo, kam lexuar nëpër gazeta disa pasazhe ku përmendem, por….
Nuk ka ndonjë sekret po të themi se në një mënyrë apo në një tjetër, për shkak edhe të cilësisë apo të profileve por edhe të karrierës, ju dhe Edi Rama jeni konkurrentë brenda së majtës për lidership….
Në letërsi, jo. Nuk jemi në letërsi konkurrentë.
Dakord, në letërsi nuk jeni…
Dhe unë kam ardhur të flas për letërsi sonte.
Natyrisht, nuk po hyjmë në politikë. A shikoni diçka penguese në këtë prirjen tuaj për t’u marrë me letërsi, nëse shohim dyshe rivalitetesh politike. Në vende të tjera, le ta zëmë në Britani, Toni Bleri etj, që e kanë në fushën ekonomike, vijnë nga shkollime ekonomike për të menaxhuar politikisht ekonomitë e vendeve të tyre duke bërë karriera si kryeministra të ardhshëm. Apo është kjo një gjë shqiptare?
Nevoja që kam unë për të shkruar dhe në këtë rast Edi Rama, nuk kanë lidhje fare me politikën. Pra nuk përdorin librat për të konkurruar apo për të marrë votat besoj. Unë nuk përdor libra për të marrë vota, përkundrazi ka pasur raste kur kam menduar që, ose kur më kanë detyruar të mendoj apo më kanë bërë të mendoj, që me letërsinë që kam bërë edhe mund të humb vota. Mbaj mend, libri im i parë u kthye në një problem edhe brenda PS-së, pasi kishte njerëz që më paragjykonin për një gjë që unë s’e kisha. Pra këto libra nuk shkruhen për të marrë vota dhe as të kthehen në një rivalitet për më tepër. Prandaj them se sado që të kërkojmë ujë në këtë pus, nuk nxjerrim dot gjë.
Komentet e Berishës i ke dëgjuar, besoj për librin?
Ka disa kohë që nuk shoh shumë televizor.
E keni ndjekur?
Për fat të keq, po.
Dhe?
Nuk kam asnjë koment për këtë njeri... Kohët e fundit, por edhe në përgjithësi, i bëj një pyetje vetes dhe them se si ka mundësi që një burrë në këtë moshë, (sepse edhe mosha është e rëndësishme për njeriun në atë që thotë. Unë e di që gjërat që unë kam thënë kur kam qenë 20 vjeç, kur të jem 70 vjeç nuk do t’i them, mënyrën se si e kam parë botën kur kam qenë 30 vjeç nuk e besoj sot) të jetë kaq banal. Çfarë nevoje ka për të qenë banal? Dhe mendoj që banaliteti i Sali Berishës është një gjë e padurueshme. Banalitetin ai nuk e kuron dot, jeton në banalitet, ndaj dhe nuk dua ta komentoj fare. Mund të bëja batuta pa fund me Sali Berishën për të mbushur edhe faqet e gazetave dhe në disa raste edhe e kam bërë, por nuk më intereson sepse banaliteti është gjëja nga e cila kam filluar të kem neveri.
E keni menduar Nobelin?
Jo, jo.
Pse jo?
Po pse duhet...? Në 7- 8 mijë vjet që shkruhet, ju e dini që 100 veta kanë pasur fatin ta prekin. Ka ca autorë që e kanë munduar veten më shumë se ç’duhet me këtë gjë... janë munduar shumë...Unë e jetoj jetën time shumë mirë, jam shumë i kënaqur sepse ambicia ime nuk është të marr çmime, kushdo qofshin ato, ambicia ime është që bëjë letërsi të mirë dhe akoma besoj se kam fuqi që të bëjë letërsi të mirë...
Marre me shkurtime nga “Intervista” në ‘Vizion Plus’