E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Tolerancës, Topi: Duhet dialog, s’kemi kohë për konflikte boshe

Topi: Shpeshherë kemi parë sesi individë apo institucione politike, të cilët kanë përgjegjësi dhe detyrimin zyrtar e publik të jenë përfaqësues, tolerantë dhe transparentë, të veprojnë ndryshe, duke cenuar me sjelljet dhe vendimet e tyre jo vetëm interesat individuale të qytetarëve por edhe të vendit”

TIRANË Në Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi apelon për dialog politik dhe institucional. I pranishëm dje në mbrëmje në takimin e Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës ku merrnin pjesë diplomatë, drejtues të bashkësive fetare, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, akademikë, studentë, Topi theksoi se tashmë konstatohet një nivel i lartë i konfliktualitetit politik në vend. “...Një mungesë dialogu institucional dhe retorikë denigruese që largon vendimmarrjen nga shqetësimet reale qytetare. Shpeshherë kemi parë sesi individë apo institucione politike, të cilët kanë përgjegjësi dhe detyrimin zyrtar e publik të jenë përfaqësues, tolerantë dhe transparentë, të veprojnë ndryshe, duke cenuar me sjelljet dhe vendimet e tyre jo vetëm interesat individuale të qytetarëve por edhe të vendit”, - tha Topi. Për pasojë, Presidenti i Republikës apeloi për dialog, si një detyrim kushtetues për t’iu shërbyer si duhet qytetarëve. “Dita e sotme është një apel për të gjithë ata, për ta lexuar nevojën për dialog politik dhe institucional jo si një dhuratë apo lëshim, por si detyrim kushtetues e civil, si mjeti i vetëm për t’u shërbyer si duhet qytetarëve dhe shoqërisë. Një vend me probleme që kërkojnë zgjidhje nuk ka kohë për të humbur me konflikte boshe politike, nominale apo ideologjike. Politika ka përgjegjësinë të mos lejojë asnjëherë të shndërrohet në faktor dominues mbi qytetarët dhe interesat e tyre, por të bashkëjetojë dhe të bëhet zëdhënëse e këtyre interesave”, - tha ai. Kreu i shtetit theksoi se për shqiptarët raportet me tolerancën kanë qenë raporte komplekse, të imponuara kryesisht nga fatet tragjike në luftëra e pushtime, nga regjime autoritare dhe refuzuese ndaj të drejtave bazë të njeriut. “Shqipëria ishte ndër të paktat shtete që nuk iu bashkua në kohën e duhur Kartës së OKB-së të të Drejtave të Njeriut dhe sidomos Kartës së Helsinkit, por me ndryshimet demokratike në vitin 1995 Shqipëria konfirmoi standarde të larta të këtyre të drejtave, duke u pranuar me të drejta të plota në Këshillin e Europës. Sot Shqipëria është një vend nënshkrues i Deklaratës së Parimeve mbi Tolerancën, është një vend anëtar në NATO dhe me projektim të qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, - tha Topi duke shtuar se tej këtij bilanci historik ekziston një raport i fortë tolerance në marrëdhëniet mes qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare. “Si rrallë ndonjë vend tjetër, ne kemi komunitete të ndryshme fetare që respektojnë dhe vlerësojnë besimin e tjetrit, jetojnë në harmoni dhe e përdorin këtë tregues si një pasuri të çmuar të identitetit evropian të shqiptarëve. I njëjti vlerësim karakterizon raportet tona kulturore, sociale, sportive dhe arsimore me kulturat dhe vendet e tjera. Me sjelljet e tyre qytetare, shqiptarët dëshmojnë etje për njohjen e kulturës së tjetrit, e pranojnë atë si pjesë e jetës së përditshme, respektojnë traditat dhe përbëjnë ndër rastet e veçanta evropiane të mungesës tërësore të organizatave ose strukturave raciste, ksenofobe, intolerante apo antisemite”, - tha Topi.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›