Retro/Histori: 5 nëntor 1913 Vivien Leigh
Vivien Leigh, aktore e shquar angleze e teatrit dhe kinemasë, u lind në Darjeeling të Indisë më 5 nëntor 1913. Ajo ishte fituese e dy çmimeve “Oscar” për role grash përfaqësuese të shtresës së lartë të Jugut amerikan, Scarlett O'Hara në ‘Bashkë me erën’ (1939) dhe Blanche DuBois në ‘Tramvaji më emrin dëshirë’. Ajo ishte gjithashtu aktore e suksesshme teatri, ku shpeshherë aktroi me bashkëshortin Laurence Olivier, i cili u bë edhe regjisor i disa shfaqjeve të saj. Gjatë karrierës tridhjetëvjeçare luajti role në komeditë e Nowl Coward dhe George Bernard Shaw-t por edhe role klasike të personazheve shekspiriane, si Ofelia, Kleopatra, Xhuljeta dhe Lady Macbeth. Vivien Leigh çmohet si një ndër aktoret më të bukura të kohës së saj. Kur e pyetën a është pengesë bukuria, ajo tha: "Njerëzit mendojnë se, nëse dukesh përafërsisht tërheqëse, nuk di të aktrosh, e mua më ka mbetur vetëm e vetëm të aktroj. Mendoj se bukuria nuk është pengesë". George Cukor ka thënë se Leigh ishte "aktore e vërtetë, e praruar me bukuri", dhe Laurence Olivier ka thënë që kritikët duhet ta "falënderojnë që ajo ishte aktore, e jo të lëshohen me paragjykime vetëm për shkak të bukurisë së saj". Shkrimtari dhe regjisori amerikan, Garson Kanin e përshkruan Leigh si "bukuroshe, që do të thotë bukuri e diturisë, e cila ka ditur t’i lançojë aftësitë e saj si aktore. Aktoret e bukura shpeshherë nuk janë aktore të mëdha – thjesht sepse ato nuk duhet të jenë. Vivien ishte tjetër gjë, ambicioze, e zgjuar, e vërtetë, shpesh inspiruese".