E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ben Blushi ne France

Revista e njohur letrare franceze “Shekulli 21″, në numrin e saj të fundit i kushton një dosier letërsisë së vendeve të Ballkanit me titullin “Ringjallja e Ballkanit”. “Procesi emancipues letrar i Ballkanit, u përket fenomeneve madhore të letërsisë: Ivo Andriç, Ismail Kadare, Yordan Radichkov”, theksohet ndër të tjera në këtë revistë. Revista ka përzgjedhur të botojë dhe dy shkrimtarë bashkëkohës nga Shqipëria, shkrimtarë këta që në vite kanë qenë seleksionuar në konkursin letrar “Ballkanika”: pjesë nga romani i Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, për të cilin komentohet si “mjeshtër i ringjalljes së Historisë”, si dhe nga Ylljet Aliçka, me novelën e tij “Tri shënime nga ndërmarrja N. në lidhje me vdekjen e Udhëheqësit”, për të cilin ndër të tjera thuhet se “Aliçka zotëron venën e një humori të hollë…”. Ben Blushi, si shkrimtar me romanin e tij të parë dhe surprizë “Të jetosh në ishull” tronditi skenën letrare shqiptare. Dhjetëra mijëra kopje të shitura, një debat mediatik dhe qarqet letrare e bënë Ben Blushin shkrimtarin me numrin më të madh të kopjeve të shitura për libër gjatë 20 vjetëve të fundit. Por jo vetëm kaq. Kjo vazhdoi edhe me librin e tij të fundit “Shqipëria”, i cili mban logon e “Mapo Edition”. Befasia në stil, në ndërtimin e rrëfimit, në strukturën e gjithë veprës në romanet e tij ishte ndoshta kontributi për një kthim të shijes së letërsisë në këto kohë. “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës” dhe romani i ri “Shqipëria” janë një triptik i kompletuar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›