Ben Blushi, një alternativë tymi me LMN
Për dekada, një grup i vogël shkencëtarësh ka mbrojtur idenë se tymi i cigares nuk dëmton shëndetin. Falë dyshimit që kanë hedhur në publik këta shkencëtarë, industria e duhanit ka arritur të shtyjë iniciativat për të përmbushur detyrimin e shkrimit mbi paketën që cigarja dëmton shëndetin. Padyshim që e vërteta doli në dritë, dhe sot asnjërit nuk i shkon në mendje të thotë se e bën një gjë të tillë. Tani së fundmi kemi marrë vesh se shumë shkencëtarë të atij grupi bënin pjesë në defterin e pagesave të industrive të duhanit, pra ishin mercenarë me plot gojë. Ky debat prej “shkencëtarësh” pati kontribut parësor për shumë vdekje duhanpirësish. Shumë veta mund të ishin shpëtuar në qoftë se politika do të bënte atë që tani po adoptohet, madje duhet ta kishte bërë 18 vjet më parë. Nejse! Gjëja me e trishtueshme për këtë llum njerëzor eshte se ekspertët e vërtetë i njihnin efektet keqësuese që vinin nga pirja e duhanit shumë më parë se opinioni publik dhe politikanët të pranonin se, në fund të fundit, që ky debat ishte shterpë, e që duhani ishte i dëmshëm për shëndetin. Debati i provokuar nga “ekspertët” e faturuar nga industritë, ishte vetëm një stratagjemë për të fituar më shumë kohë.
Është e njëjta gjë që po ndodh me Ben Blushin dhe me krijesën e tij “Lëvizjen për Mendim Ndryshe” ose shkurt LMN. Në këtë rast, ndryshimi është se ky debat që nuk po lind aq sa duhet brenda strukturave të PS, një moslindje po shkakton vonesë në fillimin e reformave integruese të Shqipërisë. Partia e personalizuar ka risjellë në televizor një bojkot të “kushtëzuar”, dhe ky kushtëzim i kushtohet si kurban veç fitores morale e politike të kryetarit të opozitës. Siç u pa në zgjedhjet e brenda PS, Ai ka narkotizuar të gjitha strukturat e partisë në rrethe. Fitorja 93 % nuk është një fitore, është më shumë, është një kurorëzim Egokracie. Madje edhe votat njëshifrore të marra nga ridikulanti i politikës ambulante - Maqo Lakrori - ishin një gjetje instrumentale ose më mirë skenografike e Edi Ramës. Egoarku mbasi refuzoi kurorën e monarkut të “qesharakëve” mori veç Lakrorin dhe i tha në vesh se, je ti pasardhësi i fronit.
Vetëm një gjë e ka shqetësuar Egoarkun në këto palë zgjedhje, zbulimi se Ndre Legisi ose i dërguari i Edi Ramës pranë Lakrorit në Bar/lokal UFO, prapa hotel Tirana, të merrte në telefon Gencin (Gjonçaj) nga Korça për të fiksuar rezultatin përpara mbylljes së kutive të votimit. Kjo ishte një manovër për të thënë në sy të publikut se edhe vendlindja politike e Ben Blushin voton për Ramën. Blushi i kuptoi paksa vonë se egoarku më shumë interes kishte në Korçë sesa votimet se në qytetet e mëdha.
Për shumë veta ky sulmim me spondë që Rama po i bën Blushin në shtëpinë e tij politike do të thotë se lufta është akoma në paradhomë. Kurse në media parashtrohet pyetja kur do të dy luftojnë ashpër për lidershipit verbal të opozitës. Them lidership verbal sepse Rama ka shpikur Bojkotin e kushtëzuar jo vetëm për të bërë presion artificial, por edhe sepse në parlament gjithë ajo falangë pa eksperiencë luftë politike mund t’i shkojë pa një pa dy një strategu si Blushi që e ka gojëtarinë e tij armën më spekulative në opozitë.
Paketa e propozimeve përpara kongresit socialist nuk i pëlqeu kryesisë së PS. Që të mos behej bujë në Pallatin e Kongreseve, Edi Rama me politikanë gangsterë zgjodhi vijën e derës së mbyllur. Paketa e propozuar nga Ben Blushi kur gjithçka u mbyll në mbyllje krijoi ambalazhin e mendimit, që në tregun publik shitet me emrin LMN. Me gjithë këtë tym të ngritur nga LMN duhet patjetër lajmëruar një zjarrfikës, që nuk është Fatos Nano që ka nofkën si piromani i politikës shqiptare. Në qoftë se kërkohet ndihma e Fatos Nanos për të bërë politikë më majtas se Rama, atëherë majtas bëhuni gati për një dimër të ngrohtë, se ky - siç dihet e siç njihet - është i vetmi politikan që i nxjerr tymin një partie.
Mirëpo protagonizmi i Nanos është i atillë sa të magnetizojë Blushin pragmatist që i nevojitet mbështetje baze, nëse do të bëjë një ofensivë për fronin e PS. Këtu ka një polem qysh në nisje se Blushi më shumë se pragmatist - është një idealist i thekur - pra Nanon e ka pasur shef kur ishte këshilltar, e si zakonisht tek ne, shefat këshillojnë këshilltarët, pra Blushi nuk e pranon më këtë rol paternalizues. Për vetë faktin se demokracia jonë është e brishtë, në qoftë se tek ne mbresa e Shtetit është një sentiment larval, nëse raporti i politikës dhe i biznesmenëve, nëse mafia e ndërtimit, nëse klientela, nëse kultura, nëse intelektualët, nëse, nëse... e gjithë kjo - ka një shpjegim. Në sendërtim e sipër, shpjegimi mund të kërkohet ose/dhe ta marrim nga një njeri që i ka krijuar këto epi/fenomene në Shqipëri për tetë vjet, ose nga një njeri që i (e) lindur, rritur dhe krijuar kimerën e Bashkisë së Tiranës.
Megjithatë, ashtu siç ishin ekspertët që njihnin mirë se debati ishte një mënyrë për të larguar vëmendjen nga problemi i dëmtimit të shëndetit nga duhani, ashtu edhe ekspertët e politikës - që vijnë nga shumë shtresa - vrasin mendjen nëse Blushi po aktivizohet sa duhet në gjallërimin e opozitës. Midis atyre që e njohin problemin, nuk kanë dyshime. Si po duket, që nuk i ka as Rama në prodhimin e incidenteve delegjitimuese për Blushin në Korçë, pra Rama e ndjen rrezikun dhe vepron duke sulmuar për t’u mbrojtur. Kjo është Shqipëria ku ju nuk doni të hetoni. Dhe në këtë moment nuk duhet të ketë debat: se si, qysh apo tek.
...