E Diel, 1 Nëntor 2026

Nata e fundit e folklorit

Autori i Lajmit: red.
Festivali Folklorik ka shënuar fundi mbrëmjen e djeshme, ku në natën finale grupet folklorike kanë interpretuar në kala-skenën e Gjirokastrës. Ndërkohë që në natën e pestë të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, në skenën e kalasë së këtij qyteti, kanë konkurruar grupet folklorike të qarkut të Durrësit, Fierit dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Të parët që prekën skenën rrethore, ishin artistët shqiptarë nga Maqedonia, në programin e të cilëve spikati vallja rituale “Drithi i dasmës” si dhe interpretimet e këngëve me motive lirike tradicionale, të kënduara me mjeshtëri nga motrat Saiti. "Kemi një dhomë të mbushur me medalje e kupa. Nuk ka asnjë festival nga i cili të jemi kthyer pa çmime", tha udhëheqësi artistik i këtij grupi Remzi Aliu, duke nënvizuar se "materialet për Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastra 2009 janë përzgjedhur me mjaft kujdes". Më pas 60 artistë popullorë të qarkut të Durrësit përcollën për rreth 40 minuta një pjesë të folklorit të Shqipërisë së Mesme. Një nga materialet më të vjetra të këtij grupi ishte "Në Pazar të Shijakut", kënduar nga Dalip Gjergji, i cili pohoi se "këtë këngë e kam dëgjuar për herë të parë në vitin 1972 nga gjyshja ime". Udhëheqësi artistik i grupit folklorik të qarkut të Durrësit, Ylli Ramzoti, e ka cilësuar këtë këngë si një nga vlerat e panjohura nga publiku dhe që u paraqit për herë të parë dje në mbrëmje, në natën e pestë të Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2009. Sipas Ramzotit, "Grupi i pleqve të Krujës", në përbërje të ansamblit folklorik të Durrësit, është paraqitur për herë të parë në publik në vitin 1957, por këngët që interpretuan dje në mbrëmje vazhdojnë të ruajnë freskinë dhe gjallërinë e folklorit qytetar krutan. I sukseshëm u cilësua dhe prezantimi i grupit të qarkut të Fierit. Për herë të parë, grupi i Semanit prezantoi materialin "Guna me rrëke", që së bashku me këngët origjinale shumëvjeçare "Mollë e ardhur nga Misiri" dhe "Iso mbajnë zile këmborë" entuziazmuan publikun. Nikollaq Bulo, udhëheqësi artistik i qarkut të Fierit, pohoi se e veçanta enë këtë edicion janë interpretët e rinj, të cilët i kanë rritur vlerat përfaqësuese dhe shkallën interpretative të elementëve folklorikë. Festivali Folklorik i Gjirokastrës, në edicionin e tij të IX synon mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më përfaqësuese të trashëgimisë sonë kulturore. Kjo veprimtari është konsideruar ndër më të rëndësishmet e këtij lloji në vendin tonë.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›